Eurodeputeti italian Sandro Gozi ka bere një reagim të ashpër drejtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Në vend që të merret me ofendimet e të tjerëve, ia ka rikujtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq përgjegjësitë ndërkombëtare që ai ka në raport me Kosovën.
Gjatë një reagimi që bëri me një video në të gjitha rrjetet sociale, deputeti Gozi i kujtoi Vuçiqit detyrimet që rrjedhin nga angazhimet ndërkombëtare në raport me Kosovën.
“Për Kosovën… nuk jam unë ai që duhet të negociojë çështjen, por ju. Kjo është përgjegjësia juaj sipas rezolutave, procesit evropian dhe angazhimeve ndërkombëtare që keni marrë”, ka thënë ai.
Përplasjet mes dy politikanëve janë ashpërsuar pasi Vuçiq e quajti Gozin “person të pandershëm” dhe “hajn” në një tubim publik, çka nxiti reagimin e menjëhershëm të eurodeputetit.
Në videon e tij, Gozi theksoi se më herët e kishte ftuar presidentin serb në një debat të hapur publik.
“Vuçiq, javën e kaluar ju ftova në një debat publik në TV ose kudo që dëshironit, në Beograd apo në Bruksel. Në fillim e pranuat, pastaj u zhdukët, duke u fshehur pas makinerisë suaj propagandistike, e njëjta që tani përballet me veprime ligjore”.
Ai kritikoi ashpër faktin që, sipas tij, Vuçiq zgjodhi fyerjen në vend të debatit politik.
“Dhe dje, në vend që të përgjigjeshit politikisht, zgjodhët të më fyeni personalisht.”
Duke folur për legjitimitetin e tij si eurodeputet në Bashkimin Evropian, Gozi shtoi:
“Së pari, për shtetësinë time dhe legjitimitetin tim në Bashkimin Evropian, çdo qytetar evropian ka të drejtë të zgjidhet në vendin ku jeton dhe banon. Ky është një parim bazë demokratik i BE-së.”
Ai hodhi poshtë gjithashtu akuzat ndaj tij.
“Së dyti, i refuzoj me vendosmëri gënjeshtrat dhe shpifjet tuaja. Rastet që përmendni janë pushuar, sepse ishin të pabaza, të paqena ose të fabrikuara qëllimisht për të më sulmuar”.
Në një pjesë tjetër të reagimit, Gozi bëri krahasime me situatën në Serbi:
“Unë nuk drejtoj një vend ku prej muajsh njerëzit dalin në rrugë për të protestuar kundër korrupsionit. Ju tingëllon e njohur?”
Në fund, eurodeputeti italian e cilësoi gjuhën e përdorur nga presidenti serb si shenjë dobësie politike.
“Kur më fyeni, nuk dukeni të fortë, por të dobët, sepse kur një kryetar shteti shpif ndaj të tjerëve për të mbuluar përgjegjësitë e veta politike, kjo do të thotë se është në telashe të mëdha”.
Reagimi i eurodeputetit Gozit erdhi pasi Vuçiq e etiketoi atë si “luzha”, një term që nënkupton person të pandershëm, kriminel ose hajdut.