Europol: ‘SKY ECC’ zbuloi rrjetin e krimit të organizuar në Kosovë

Mesazhet e shkëmbyera në platformën e koduar të komunikimit “SKY ECC” kanë ndihmuar autoritetet evropiane të zbulojnë një rrjet të organizuar kriminal me bazë në Kosovë, i dyshuar për trafikim ndërkombëtar të drogës, përdorim të dokumenteve të falsifikuara, posedim të paligjshëm të armëve dhe pastrim parash.

Sipas një njoftimi të Europolit, inteligjenca e mbledhur gjatë një hetimi trevjeçar çoi në një operacion të gjerë të zhvilluar më 9 qershor në Kosovë, ku u arrestuan pesë persona të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti kriminal.

Në aksion morën pjesë rreth 150 zyrtarë policorë, të mbështetur nga Europoli, ndërsa bastisjet dhe veprimet operative u zhvilluan në disa lokacione.

Europoli ka bërë të ditur se grupi kriminal shfrytëzonte platformën “SKY ECC” për të koordinuar aktivitetet e trafikimit të narkotikëve në disa vende të Evropës. Sipas autoriteteve, të dyshuarit nga Kosova kishin rol kyç në drejtimin e operacioneve kriminale, duke organizuar dërgesat e drogës dhe duke menaxhuar rrjetet e pastrimit të parave.

Hetimi, që ka zgjatur për më shumë se tri vjet, ka prodhuar rezultate të konsiderueshme. Sipas Europolit, deri më tani janë hetuar 42 persona të dyshuar, janë kontrolluar 76 lokacione dhe janë sekuestruar asete kriminale me vlerë të përgjithshme prej rreth 80 milionë eurosh.

Pesë të arrestuar nga operacioni kundër krimit të organizuar, sekuestrohen armë e drogë

Të fundit nga rubrika