Evakuohen pasagjerët e parë nga anija turistike e prekur nga hantavirusi

Pesëmbëdhjetë shtetas spanjollë janë mes pasagjerëve të parë që janë evakuuar nga anija turistike MS Hondius, e cila ishte vendosur në izolim pranë Ishujve Kanarie në Spanjë, pas shpërthimit të dyshuar të hantavirusit në bord.

Ata janë transportuar me një fluturim çarter nga Tenerife drejt Madridit, ku do të qëndrojnë në karantinë të detyrueshme në një spital ushtarak në kryeqytet.

Para se të hipnin në avion, ekipet mjekësore i kanë veshur pasagjerët me kostume mbrojtëse dhe i kanë dezinfektuar në pistën e aeroportit.

Sipas autoriteteve shëndetësore spanjolle, evakuimi po zhvillohet sipas planit dhe të gjithë pasagjerët në bord deri më tani nuk kanë shfaqur simptoma të virusit. Ministrja e Shëndetësisë, Mónica García, ka deklaruar se operacioni po ecën normalisht.

Pasagjerët po evakuohen sipas shtetësisë, raporton BBC. Pas grupit spanjoll, pritet të largohen edhe qytetarët francezë, holandezë, gjermanë dhe grekë, ndërsa më pas edhe shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Fluturimi i fundit pritet të realizohet për pasagjerët australianë.

Anija MS Hondius ishte ankoruar pranë portit të Granadillës që nga e diela në mëngjes, rreth një muaj pas vdekjes së parë të raportuar në bord. Në anije ndodhen mbi 100 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit.

Autoritetet spanjolle kanë vendosur një perimetër sigurie detare rreth një milje nautike gjatë operacionit, ndërsa ekipe mjekësore dhe specialistë të kujdesit intensiv kanë qenë në gatishmëri në ishullin Tenerife për çdo rast emergjent.

Pas evakuimit, pasagjerët do të duhet të qëndrojnë në izolim për një periudhë të gjatë, pasi virusi ka një periudhë inkubacioni deri në nëntë javë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar karantinë 42-ditore pas ekspozimit të fundit ndaj virusit.

Për shtetasit britanikë është planifikuar fillimisht një izolim në një qendër të posaçme për deri në 72 orë, pas së cilës mjekët do të vendosin nëse mund të vazhdojnë izolimin në shtëpi apo në ambiente të tjera të përshtatshme.

Të fundit nga rubrika