Evropa po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit, duke shkaktuar pasoja të rënda për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Katër persona kanë humbur jetën në Spanjë dhe Francë, ndërsa qindra të tjerë kanë kërkuar ndihmë emergjente për shkak të temperaturave përvëluese.

Në Spanjë, dy persona u gjetën të vdekur në rajonin e Katalonjës, në zonën e Torrefetas pranë qytetit Kosko. Viktimat dyshohet se ndërruan jetë gjatë përpjekjeve për të shuar një zjarr të përhapur si pasojë e të nxehtit ekstrem. Trupat e pajetë u zbuluan pas ndërhyrjes së zjarrfikësve që arritën të lokalizonin flakët.

Situata është kritike edhe në Francë, ku janë raportuar dy vdekje të tjera të lidhura me sëmundje të shkaktuara nga temperaturat ekstreme. Rreth 300 persona kanë kërkuar ndihmën e ekipeve të shpëtimit për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Katër rajone franceze, Aube, Cher, Loiret dhe Yonne, ndodhen nën alarmin e kuq të motit, niveli më i lartë i rrezikut.

Shërbimi meteorologjik francez njoftoi se qershori i këtij viti është regjistruar si i dyti më i nxehtë në histori që nga viti 1900, pas atij të vitit 2023. Edhe Spanja ka përjetuar qershorin më të nxehtë ndonjëherë të regjistruar, sipas agjencisë shtetërore të motit AEMET, me temperatura që kanë thyer rekordet e mëparshme të korrikut dhe gushtit.

Në Itali, dy punëtorë ndërtimi në provincën e Viçencës janë dërguar në spital pasi humbën ndjenjat gjatë punës në kushte ekstreme. Njëri prej tyre është në gjendje kome, raportojnë mediat italiane.

Sipas Kombeve të Bashkuara, fenomenet ekstreme të motit, përfshirë temperaturat e larta dhe zjarret e shpeshta, po bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.