“Sulmi në Banjskë ishte me rrezikshmërinë më të lartë për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe si i tillë mund të përsëritet”.

Kështu ka deklaruar kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, pas mbledhjes ku kishte raportuar drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

Në një konferencë për media mbajtur menjëherë pas mbledhjes, Musliu ka theksuar se sfidat e sigurisë në vend kanë qenë të konsiderueshme për institucionet dhe qytetarët gjatë gjithë vitit.

Megjithatë, ajo i atribuoi punës profesionale të AKI-së për ofrimin e zgjidhjeve në raste që kishin rrezikuar sigurinë kombëtare.

“Konstatuam se ka qenë një vit i vështirë dhe jashtëzakonisht sfidues për qytetarët e Republikës së Kosovës në përgjithësi e me theks të veçantë për institucionet e sigurisë në vend. Gjatë këtij viti, Kosova si asnjëherë më parë që nga shpallja e pavarësisë u përball me agresionin e sulmeve terroriste të organizuara nga aparatura shtetërore serbe. Në nivelin e sigurisë kombëtare rasti i Banjskës është një nga rastet e nivelit më të lartë të rrezikshmërisë së shtetit të Kosovës, dhe ky rast ende vazhdon në mënyra të veta të paraqesë rrezik për vendin tonë”, ka deklaruar ajo.

Por, krahas sigurisë kombëtare, deputetja Musliu ka deklaruar se institucionet e sigurisë duhet të jenë vigjilente edhe për çështje të tjera.

“Si institucione të sigurisë nuk guxojmë në asnjë mënyrë të lëmë pa vëmendje edhe kërcënimet e tjera të sigurisë, siç janë prezenca e madhe e lëndëve narkotike dhe shpërndarja tek grupmoshat e reja në theks të veçantë ose me fokus tek nxënësit dhe shkolla. Futja nga jashtë e Kosovës e monedhës dy euro false po ashtu në tregun financiar ekonomik, po ashtu, ka dëmtuar rëndë qytetarët e Republikës së Kosovës, ka shkaktuar probleme financiare në ekonomi edhe ashtu të varfër të Kosovës.

Numri në rritje i rasteve të rrëmbimeve dhe plaçkitjeve mbetet, po ashtu, faktor shqetësues i brendshëm i Kosovës dhe për institucionet e sigurisë. Falë angazhimit dhe punës të pandalshme profesionale të AKI-së, tashmë në Kosovë në mënyrë profesionale dhe të shpejtë ju është dhënë epilog natyrës së rasteve që cenuan sigurinë kombëtare në muajt e fundit”, ka thënë Musliu, transmeton KP.

Po ashtu, Musliu ka potencuar se AKI-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për garantimin e sigurisë kombëtare.

“Vetëm kur bashkëpunojnë qytetarët e Republikës së Kosovës me institucionet e sigurisë dhe personat përgjegjës për siguri mund të ndihmojmë shtetin dhe të evitojmë problemet që u ballafaquam vitin që lamë pas”, ka deklaruar tutje Musliu.