Familja e Hysni Gucatit në ankth, nuk dihet nëse ka vendim për lirimin e tij
Përgjatë rrugës krijohet përshtypja e një fshati me pak lëvizje që vështirë të ketë arsye të vizitohet. Por në thellësi, gjendet shtëpia e dikujt mjaft të rëndësishëm. Shtëpia po, por brenda nuk gjendet pronari i saj Hysni Gucati, i cili vazhdon të jetë në vuajte të dënimit në burgun e Dhomave të Specializuara, mirëpo siç […]
Përgjatë rrugës krijohet përshtypja e një fshati me pak lëvizje që vështirë të ketë arsye të vizitohet. Por në thellësi, gjendet shtëpia e dikujt mjaft të rëndësishëm.
Shtëpia po, por brenda nuk gjendet pronari i saj Hysni Gucati, i cili vazhdon të jetë në vuajte të dënimit në burgun e Dhomave të Specializuara, mirëpo siç është paralajmëruar, jo edhe për shumë gjatë.
Lajmi i lirimit të parakohshëm të tij bëri bujë të madhe, pasi u konfirmua nga udhëheqësi aktual i veteranëve, Faton Klinaku.
Por, të shtunën, ai i ka thënë Dukagjinit se nuk do të komentojë asgjë përpara se Specialja të dalë me një vendim zyrtar.
Ndërsa Specialja, as nuk e ka pohuar por as mohuar lirimin.
Megjithatë, tek shtëpia e Gucatit ndihet një qetësi e jashtëzakonshme.
Hyrje-dalje nuk ka, e miqtë e familjarët akoma nuk janë drejtuar për aty, pasi ekziston ndrojtja se asgjë nuk është e sigurt.
Dukagjini që të shtunën ka qëndruar në Morinë të Skenderajt, ka biseduar me familjarët e ngushtë që thonë se gëzimin nuk e kanë të plotë, pasi mos konfirmimi po i lë në ankth.
Teksa tregojnë prapa kamerës se kërkesën për lirim të parakohshëm e kanë bërë qe një kohë, ata besojnë se vendimi ka ardhur për shkak të gjendjes shëndetësore të Gucatit, e cila i është rënduar herë pas here.
Gjatë qëndrimit në Hagë që nga viti 2020, Gucati ka kaluar së paku dy ndërhyrje serioze shëndetësore.
Mundësinë e lirimit, familjarët e kanë marrë vesh nga avokatët, të cilët sipas tyre, nuk u kanë dhënë garanci.
Dukagjini merr vesh se e mërkura e javës së ardhshme është shqyrtuar si opsion që Gucati të kthehet në Kosovë.
Hysni Gucati ishte arrestuar shtatorin e tri viteve më parë, bashkë me Nasim Haradinaj, ku u akuzuan për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Të dy janë dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim, teksa, dënimi do duhej të përfundonte në dhjetor të 2024-tës.















