Edhe një aktakuzë tjetër e ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës, ka përfunduar në shkallën e parë me aktgjykim lirues.
Një ditë më parë, Gjykata në Pejë ka liruar nga akuzat Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetaj për vrasjen e trefishtë të 26 nëntorit 2021 në Gllogjan, ku u vranë dy nxënës dhe shoferi i autobusit.
Familja e këtij të fundit, janë të zhgënjyer me vendimin, derisa avokati i tyre Arianit Koci ka kritika për Gjykatën.
“Gjykata ka bërë një shmangie procedurale sepse Kodi i Procedurës Penale e parasheh që kur shpallet aktgjykimi lirues me disa fjalë të e arsyetoj këtë, gjykata ju e pat fare nuk e arsyetoi vetëm e shpalli edhe doli prej sallës, proceduralisht është bërë një lëshim i madh serioz…Është dështim i shtetit që deri tash nuk kemi epilog gjyqësor nëse këta janë të pafajshëm atëherë kush e ka kryer veprën.”
Koci sikurse edhe Prokuroria në Pejë, janë duke pritur tashmë aktgjykimin e shkruar nga Gjykata për të vepruar tutje.
“Prokuroria Themelore në Pejë përkatësisht departamenti i krimeve të rënda pasi do pranojë aktgjykimin në formë të shkruar nga trupi gjykues i cili dje shpalli vendimin brenda afatit ligjor prokurori i cështjes do parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit”, tha Shkodran Nikçi.
Por, në të kaluarën edhe një rast tjetër i hetuar nga Prokuroria në Pejë, ai i Naser Pajazitaj i cili u dënua disa herë me burgim të përjetshëm për vrasje, në fund Supremja e shpalli të pafajshëm.
“Ka gjasë që edhe ky rast të mbetet i pazbuluar krejt kjo si pasojë e prokurorisë themelore në Pejë e cila jo vetëm në këtë rast por edhe në raste të tjera është nxituar që të zhvillojë hetime të arrestojë persona e të ndërtojë akuza të pa mbështetshme në prova dhe si rrjedhojë vije deri tek aktgjykimi lirues.”
Të tre të dyshuarit, që u liruan akuzoheshin se, më 26 nëntor 2021, nën motivin e hakmarrjes, kanë shtënë me kallashnikov në drejtim të një autobusi në Gllogjan, ku mbetën të vrarë dy nxënës 17-vjeçarë dhe shoferi i autobusit.
