Familjet e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Letra e përbashkët e familjeve është bërë publike nga Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit.
Familjet kanë thënë se e vlerësojnë ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takim, por kanë bërë të ditur se duan që ky takim të zhvillohet pas vendimit të Kuvendit.
“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në letrën e familjeve.
Në letër, familjet kanë shprehur mirënjohje për qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar ndaj tyre gjatë procesit gjyqësor në Hagë.
“Ne, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, bëjmë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente”, thuhet në letër.
Familjet kanë kërkuar nga të zgjedhurit e popullit që të tregojnë, siç thonë, sjellje të përgjegjshme shtetërore në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit në raport me Dhomat e Specializuara.
Ftesa për takim me familjet e ish-krerëve, Haxhiu e gatshme t’i vizitojë edhe në shtëpi