Konkursi për kryeprokuror të shtetit ngadalë po shkon drejt fundit.
Këtë të mërkurë është zhvilluar një ndër fazat më të rëndëisishme në këtë proces e që është vendimtare për kandidatin që do marr miratimin e anëtarëve të KPK-së.
Fillimisht për gati 3 orë paraditën e sotme paneli vlerësues i KPK-së ka hartuar pyetjet, që do të jenë të njëjtat, për intervistimin e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.
Në një njoftim për media nga Këshilli është thënë se ky proces do të zhvillohet me transparencë të plotë.
“Kryesuesi i Panelit Vlerësues, njëherësh Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Arian Gashi, theksoi se procesi do të zhvillohet me transparencë të plotë, objektivitet dhe profesionalizëm, duke siguruar trajtim të barabartë për secilin kandidat. Këshilli Prokurorial i Kosovës do të vazhdojë ta informojë opinionin publik dhe mediat në kohë reale për ecurinë e procesit të emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, duke garantuar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, meritokracisë, transparencës dhe integritetit institucional”, thuhet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Në garë për këtë pozitë janë Atdhe Dema, prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale, Naim Abazi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale, Rafet Halimi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale, Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Zejnullah Gashi, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
I pari që ka nisur intervistimin ka qenë prokurori Atdhe Dema, për të vazhduar më pas sipas radhës, për ta përmbyllur me Gashin, intervistimi i të cilit ka nisur nga ora 16:45.
Në Institutin e Kosovës për drejtësi thonë se KPK-ja duhet të marr mësim nga përvoja e kaluar dhe të mos përsërit sërish shkeljet që janë bërë.
“Duhet me pas parasysh që sistemi prokurorial duhet të e udhëheq këtë proces në tërësi me meritokraci me transparencë të plotë dhe me objektivitet gjithashtu ky proces duhet të tingëlloj i barabartë për palët dhe duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët në mënyrë që në fund të kemi të prodhuar një emër për kryeprokuror të shtetit e që emri i cili i ka munguar sistemit prokurorial të Kosovës e që si rezultat i mungesës së tij është ulur edhe besimi i publikut në këtë institucion”, ka theksuar Flamur Kabashi – Hulumtues në IKD.
Përfunundimin e fazës së intervistimit, Paneli Vlerësues do të vazhdojë procedurat e mëtejshme të vlerësimit dhe paraqitjen e propozimit për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, emri i të cilit votohet në KPK e më pas dorëzohet për dekretim.