FC Prishtina e ka fituar betejën në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv (KAS) me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Ani pse në sezonin 2022/23, Prishtina e kishte fituar Kupën e Kosovës nuk iu lejua nga FFK-ja të merrte pjesë në garat e UEFA-s për edicionin e ardhshëm.
Si shkak i kësaj, klubi nga kryeqyteti i ishte drejtuar KAS-it, që funksionon në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Paraprakisht, kishte apleuar vendimin e Komisionit për Licencimin e klubeve të FFK-së, duke u ankuar në organin e Apelit të FFK-së.
Megjithatë, Komisioni i Shkallës së Dytë i FFK-së e kishte refuzuar ankesën, duke e vlerësuar atë si të pabazë.
“Komisioni i Shkallës së Dytë i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur mbledhje, në të cilën e ka shqyrtuar ankesën e FC Prishtina, e parashtruar me datë 24 maj 2023, në lidhje me vendimin e Shkallës së Parë të Federatës së Futbollit të Kosovës rreth licencimit të klubeve për garat e UEFA-s për edicionin 2023/24.
Pas një vlerësimi të kujdesshëm, Komisioni i Shkallës së Dytë e ka refuzuar ankesën e FC Prishtina, duke e vlerësuar atë si të pabazë”, thuhet në njoftimin e FFK-së më 26 maj 2023.
FC Prishtina nuk do e lë me kaq këtë çështje.
Drejtori gjeneral i skuadrës, Artan Osmani, në një prononcim për TV Dukagjinin ka paralajmëruar padi ndaj FFK-së.
“Natyrisht, që po”, ka thënë ai në pyetjen se a do të paditet FFK-ja.
Sipas tij, vendimi i KAS-it është i drejtë.
“Mendoj se përfundimisht është sjellë një vendim i drejtë me bazë të qartë ligjore. Drejtësia zakonisht vonon, por me rëndësi është me ndodhë. Sa i përket hapave tjerë, shërbimi ligjor i klubit do të merret me procedurën e mëtutjeshme. Me rëndësi është që është vërtetuar përfundimisht ajo çka kemi deklaruar se na është bërë e padrejtë”, tha Osmani për TV Dukagjinin.
Se FC Prishtina do të ndjek edhe hapat e tjerë ligjor, është bërë e ditur edhe në njoftimin e klubit, të martën në mbrëmje.
“FC Prishtina njofton se pas këtij vendimi të paligjshëm të Komisionit për Licencim të FFK-s për moslicencim të FC Prishtina, hapen rrugët ligjore për të kërkuar kompensimin e dëmit material, moral dhe prishjen e imazhit të klubit”, shkruan në njoftim.
Vendimin e KAS-it nuk e ka pranuar FFK-ja, e cila ka bërë të ditur se do ta adresojë pranë institucioneve të drejtësisë në Kosovë përmes një Padie dhe Kallëzimi Penal, si dhe do të njoftojë Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.
Në reagimin e tyre, të mërkurën pasdite, FFK ka thënë se e ka pranuar me shqetësim këtë vendim, duke thënë se përmban parregullsi të shumta ligjore dhe procedurale.
Tutje, është akuzuar edhe kryetari i KAS-it, Eroll Salihu, për ndërhyrje dhe ndikim, për të marrë vendime që e dëmtojnë FFK-në.
Salihu ka qenë ish-sekretar i përgjithshëm i FFK-së.
“Është krejtësisht e papranueshme për FFK-në që vendimi citon Menaxherin e Departamentit për Licencim për deklarata që nuk i ka bërë, duke e vendosur në dyshim integritetin e procesit dhe të institucionit që e ka marrë këtë vendim. Më tej, kemi vërejtur një ndikim të panevojshëm të individëve të përfshirë në KAS, në veçanti të z. Eroll Salihu, ish-sekretar i FFK-së, i cili vazhdimisht ka ndërhyrë dhe ka shfrytëzuar pozicionin e tij për të marrë vendime që e dëmtojnë FFK-në. KOK-u ka qenë i njoftuar për ndikimet e mundshme për shkak të z. Salihu, motivet e tij personale dhe mundësinë që ky proces të cenohet, por përkundër kësaj ka lejuar që KAS të marrë një vendim të kundërligjshëm”, thuhet në reagimin e shtëpisë së futbollit kosovar.
Në vend të Prishtinës në garat evropiane në sezonin 2023/24 kishte marrë pjesë Dukagjini.