FDD: Vuçiq dhe qeveria gjeorgjiane po kërkojnë legjitimitet përmes njëri-tjetrit

SHBA-të nuk duhet ta konsiderojnë më Vuçiqin dhe qeverinë e Gjeorgjisë si partnerë të besueshëm, por si regjime autoritare që po përfitojnë nga mbështetja perëndimore, ndërsa njëkohësisht thellojnë lidhjet me kundërshtarët e Uashingtonit. Ky është përfundimi kryesor i analizës së Keti Korkiya dhe Ivana Stradner, të cilat i bëjnë thirrje SHBA-së të ndalojë politikën e lëshimeve dhe të kërkojë qartësi për orientimin e vërtetë gjeopolitik të këtyre dy vendeve

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe udhëheqja aktuale e Gjeorgjisë po ndërtojnë një aleancë politike që, sipas analisteve Keti Korkiya dhe Ivana Stradner, reflekton afrimin e dy regjimeve me prirje autoritare.

Në analizën e botuar në Foundation for Defense of Democracies (FDD) dhe fillimisht në Washington Examiner, ato argumentojnë se vizita e Vuçiqit në Tbilisi nuk ishte thjesht diplomatike, por përpjekje për prodhim të ndërsjellë legjitimiteti.

Sipas autoreve, Serbia dhe Gjeorgjia paraqiten si partnere të Perëndimit, por në praktikë kanë dobësuar institucionet demokratike, kanë sulmuar shoqërinë civile dhe kanë shmangur përgjegjësinë ndaj kritikave ndërkombëtare. Ato theksojnë se të dyja qeveritë i trajtojnë kritikat perëndimore jo si thirrje për llogaridhënie, por si “ndërhyrje armiqësore”.

Analiza rikujton se partia në pushtet në Gjeorgji, Georgian Dream ka miratuar ligj të ngjashëm me modelin rus për “agjentët e huaj”, ndërsa Serbia ka ndjekur një kurs të ngjashëm ndaj organizatave të financuara nga jashtë. Sipas Korkiya dhe Stradner, këto zhvillime tregojnë se Beogradi dhe Tbilisi po përdorin të njëjtën logjikë politike: kontroll të brendshëm, retorikë anti-perëndimore dhe afrim me aktorë si Rusia dhe Kina.

Autoret janë veçanërisht kritike ndaj lidhjeve të dy vendeve me Pekinin. Serbia dhe Gjeorgjia, sipas tyre, po thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe strategjik me Kinën, ndërkohë që vazhdojnë të kërkojnë përfitime nga partneriteti me Perëndimin.

Në analizë thuhet se marrëveshja e tregtisë së lirë mes Serbisë dhe Gjeorgjisë ka peshë të kufizuar ekonomike, por rëndësi politike. Sipas autoreve, Vuçiq nuk shkoi në Tbilisi për tregti, por për të gjetur një partner të ngjashëm politik në një kohë kur përballet me protesta të mëdha në Serbi.

Korkiya dhe Stradner përfundojnë se Uashingtoni nuk duhet t’i trajtojë Vuçiqin dhe qeverinë e Gjeorgjisë si aleatë të besueshëm. Sipas tyre, SHBA-ja duhet të shpenzojë më pak kohë duke ofruar lëshime dhe më shumë kohë duke kërkuar qartësi se në cilën anë qëndrojnë realisht këto regjime.

Të fundit nga rubrika