Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arjeta Fejza, ka komentuar marrëveshjen e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Duke folur në FIVE të TV Dukagjinit, Fejza tha se marrëveshja është rezultat i bisedimeve të zhvilluara nga përfaqësuesit e dy subjekteve politike, të deleguar për gjetjen e një emri konsensual.
“Marrëveshje ka. Marrëveshja është prezantuar nga LVV dhe LDK-ja. Nga përfaqësuesit tanë, që i kemi deleguar për të bërë zhvillimin e këtyre bisedimeve për gjetjen e një emri konsensual. Dhe fatmirësisht kemi gjetur një emër, i cili i afrohet të gjitha atributeve dhe cilësive që i kemi përmendur prej fillimit, që duhet t’i ketë kandidati konsensual… Unë mendoj që ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën. Dhe presim hapat në vazhdim. Siç e dini sot gjatë ditës ka mbledhje të dy subjekteve politike, të cilat e kanë marrë përsipër dhe janë duke pas një rol pro aktiv në çështjen e zhbllokimit të situatës. Edhe e kanë e vendos të parën, interesin e vendit…
Nuk ka të bëjë far me propozimin e emrit, për mua dhe për LVV është e rëndësishme që tashmë e kemi një emër, që i përmbush kriteret të cilat i kemi vendosur në tavolinë”, ka thënë Fejza.
Bekim Sejdiu është profesor i së drejtës në Universitetin e Prishtinës dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ai ka shërbyer edhe në diplomacinë kosovare, ndërsa ka qenë ambasador i Kosovës në Turqi dhe konsull i përgjithshëm në Nju Jork.
