Fëmija 5-vjeçar nga Lipjani është liruar nga Klinika e Pediatrisë në QKUK në gjendje stabile, pas përfundimit të trajtimit mjekësor.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla.
Sipas të dhënave zyrtare nga Klinika e Pediatrisë, gjendja shëndetësore e fëmijës është vlerësuar stabile dhe pas ekzaminimeve të nevojshme ai është liruar gjatë ditës së djeshme.
Pas lirimit nga spitali, fëmija është marrë në përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale në Gjakovë (QPS), në përputhje me procedurat dhe kompetencat institucionale.
“Bazuar në të dhënat zyrtare nga Klinika e Pediatrisë, gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile. Fëmija është liruar nga Klinika e Pediatrisë gjatë ditës së djeshme, pas përfundimit të trajtimit dhe vlerësimeve të nevojshme mjekësore. Pas lirimit, fëmija është marrë në përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale në Gjakovë (QPS), në përputhje me procedurat dhe kompetencat përkatëse institucionale”, ka theksuar Qyqalla.
Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, ka pranuar raportin përfundimtar lidhur me trajtimin e rastit të familjes së 5-vjeçarit nga Janjeva e Lipjanit nga Qendra për Punë Sociale.
Sipas tij, në gjetjet e raportit konstatohet se përgjegjësi për mangësitë në trajtimin e rastit ka pasur QPS-ja, por edhe institucione të tjera të përfshira në proces.
Hoti ka paralajmëruar se ndaj të gjithë zyrtarëve dhe institucioneve që janë evidentuar për mosveprim apo trajtim të papërshtatshëm do të merren masa ndëshkuese.
5-vjeçari nga Lipjani ishte keqtrajtuar nga prindërit. Dhe më pas fëmija kishte marrë trajtim mjekësor në Kujdesin Intensiv Pediatrik në QKUK.
Ndaj dy prindërve të tij, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e paraburgimit, ndërsa gjashtë fëmijët e familjes janë marrë nën përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan.