Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi ka reaguar ndaj retorikës së fundit të zyrtarëve serbë, duke e cilësuar si një strategji të vjetër mashtruese të Beogradit.

Fetoshi përmes një postimi në “Facebook” ka komentuar qëndrimet e Petar Petkoviqit, duke thënë se “Serbia po e luan rolin e ujkut me lëkurë deleje, ndërsa ‘dhimbjet’ e Petkoviqit nuk janë asgjë tjetër veçse përpjekje për të manipuluar ndërkombëtarët”.

Sipas Fetoshit, pretendimet për “spastrim etnik” dhe “fashizëm” janë pjesë e një strategjie propagandistike për të kamufluar rolin destabilizues të Serbisë në Kosovë përmes strukturave ilegale dhe për nxitje të tensioneve. Ai thekson se largimi i personave që punojnë për strukturat paralele të sigurisë serbe është një masë ligjore dhe legjitime, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

“Serbia po vazhdon rolin e “ujkut me lekurë deleje”. Ulëritjet e saj si “viktimë”, janë maskë e një kërcënimi të ri hibrid që synon t’i manipulojë ndërkombëtarët. “Dhimbjet” e Petkoviqit kanë ilaç, mirëpo sëmundja e tij s’është klinike – ajo e ka emrin Republika e Kosovës. Britmat për gjoja “spastrim etnik” e “fashizëm”, i takojnë strategjisë për “tjetërsimin e fajit”, që kamuflon politikën shoviniste të Serbisë nëpërmjet strukturave paralele dhe nxitjes emocionale për “rezistencë civile”. Ndalimi dhe dëbimi i serbëve që punojnë në strukturat e sigurisë së Serbisë, është thjesht veprim ligjor e parandalues për sigurinë publike, i bazuar edhe në Marrëveshjen e Brukselit 2013.

Pra, Kosova e ka obligim kushtetues të mos lejojë “polici paralele”, aq më tepër kur individë të tillë i shërbejnë një shteti armiqësor që jo vetëm s’e njeh, por e lufton hapur ekzistencën e saj. Zlatanoviq, Ropotovo, e të tjerë, janë “arsenal” për ndikim, sabotim dhe destabilizim të Kosovës, e jo qytetarë serbë “të privuar” nga të drejtat e tyre.

Ndërkohë, me qëllim që “akuzat” për “politikë anti serbe” të tingëllojë sa më bindëse, makineria e Petkoviqit e ka zgjeruar fabrikimin gjatë fundjavës edhe me “rrezikimin” e gjuhës serbe në Kosovë. Një fushatë me “gazetarë” e “intelektualë” në “Kosovo Online” dhe mediat e tjera serbe, që ka “harruar” se Slavisa Mladenoviq është Komisioner i Kosovës për Gjuhët dhe se serbishtja është e barabartë me shqipen, në të gjitha nivelet shtetërore. Një farsë “akademike” e ulëritjeve në emër të të drejtave të njeriut, nga shteti që e ka ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe në Luginë të Preshevës dhe që vazhdon spastrimin etnik të shqiptarëve përmes “shuarjes së adresave”.

Kosova është dëshmuar para botës me “privilegjimin” e pakicave, sidomos të asaj serbe, ndërkaq Serbia që “vajton dhe akuzon”, duhet t’i ndalë shpifjet e të përballet me të kaluarën e saj gjenocidale, duke hequr dorë nga qëllimet ekspansioniste të “Botës Serbe”,”, ka shkruar Fetoshi.