Qeveria e Serbisë emëroi Srecko Spasiq në krye të komunës paralele në Viti, veprim që, sipas Arben Fetoshit, drejtori i institutiti “Octopus”, përbën kërcënim real ndaj sovranitetit dhe rendit demokratik të Kosovës.
Fetoshi paralajmëron se emërime të tilla dhe “strukturat paralele” shërbejnë për mobilizim kundër institucioneve të Kosovës, përforcojnë narrativat e viktimizimit dhe mund të përdoren së bashku me operacione propagandistike e aleanca me Rusinë për destabilizim.
“Një ndërhyrje e radhës nga Serbia, që s’meriton vëmendje sepse më nuk është as lajm. Në kushte normale, emërimi i Srecko Spasiq nga Qeveria e Serbisë në krye të “komunës paralele” të Vitisë, do të ishte një vendim qesharak, që ta kujton luftën e Don Kishotit me mullijtë e erës. Mirëpo, në kontekstin e “Botës Serbe”, ky akt është një veprim perfid që kërcënon Kosovën, rendin demokratik, BE-në dhe NATO-n”, ka shkruar Fetoshi në Facebook.
Ai i ka bërë thirrje BE-së dhe NATO-s për reagim të vendosur, duke paralajmëruar se heshtja ndërkombëtare lehtëson avancimin e projektit revizionist të “Botës Serbe”.