Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka kritikuar qasjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj luftës në Ukrainë dhe raportet e tij me Bashkimin Evropian e Rusinë.
Fetoshi ka thënë se Vuçiq po vazhdon të ndjekë një politikë të dyfishtë, duke synuar afrimin me BE-në, por duke ruajtur marrëdhëniet me Moskën.
Sipas tij, Vuçiq mori pjesë në samitin “Europa Juglindore-Ukraina” në Kiev, por nuk e nënshkroi Deklaratën e Përbashkët në mbështetje të Ukrainës dhe nuk bëri homazhe për ushtarët ukrainas të rënë në luftë.
Ai ka theksuar se Serbia po përpiqet të mbajë një pozicion që, sipas tij, është i papajtueshëm mes aspiratave për integrim evropian dhe mbështetjes për interesat ruse në rajon.
Fetoshi ka komentuar edhe deklaratat e Vuçiqit në Kiev, ku sipas tij presidenti serb u distancua nga deklarata e ministres së tij për Evropën, Tanja Miščeviq, duke thënë se ajo nuk shpreh qëndrimin e tij, ndërsa njëkohësisht ka mbrojtur narrativat serbe për Kosovën.
Ai ka përmendur edhe raportin e Vuçiqit me figurën e ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, duke thënë se nacionalizmi i viteve ’90 është ripaketuar në një politikë më të sofistikuar për “Botën Serbe”.
