Arben Fetoshi, drejtor i Institutit Octopus, ka analizuar diskursin politik dhe publik në Beograd në 13-vjetorin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar atë si një strategji “anti-normalizimi” kundër Kosovës.
Ai ka thënë se kori i retorikës shoviniste serbe, i përforcuar nga politika, akademia dhe shoqëria civile, është një shfaqje e përsëritur e komunikimit strategjik kundër Kosovës, që shmang qëllimshëm thelbin e problemit.
Qasjen e Beogradit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Fetoshi e analizon si strategji ‘trojane’ që ka për qëllim rrënimin e shtetit të Kosovës.
“Vajtojnë për Asociacionin, duke e kornizuar qëllimshëm si mekanizëm etnik (jo me shumicë serbe) për “t’i mbrojtur” ata, por pa e njohur kornizën juridike nën të cilën do të funksiononte ai”, thotë ai.
“Ky është projeksioni i Serbisë për “normalizimin”: duke e minuar Republikën e Kosovës dhe duke ligjëruar sundimin serb mbi Kosovën”, konstaton Fetoshi.
Ai paralajmëron se retorika e tillë ushqen tensione dhe destabilizim në rajon, sidomos në kontekstin e zhvillimeve të fundit politike në Mal të Zi, duke shtuar rrezikun për përshkallëzim të mëtejshëm.
”Kur kësaj ia shtojmë edhe nismën e partisë pro-serbe në Mal të zi (DNP) për “tërheqjen e njohjes së Kosovës”, si dhe reagimin e fuqishëm të Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) atje, rreziku bëhet më real e me premisa të qarta të përshkallëzimit”, ka shkruar Fetoshi.