Drejtori i Institutit ‘’Octopus’’, Arben Fetoshi lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat të Malit të Zi, ka vlerësuar se Serbia po vazhdon operacionet e saj për destabilizim dhe ndërhyrje në proceset politike e zgjedhore në rajon.
Në një postim në Facebook, Fetoshi ka thënë se skenari i Serbisë për ta lënë në hije samitin në Tivat dështoi pas ndërhyrjes së autoriteteve malazeze, të cilat sipas tij penguan hyrjen e 87 personave nga Serbia që do të përbënin kërcënim për sigurinë e ngjarjes. Sipas tij, pas këtij dështimi, tensionet janë zhvendosur në veri të Mitrovicës përmes provokimeve që synojnë destabilizimin para zgjedhjeve.
Ai ka vlerësuar se veprimet e fundit lidhen me përpjekjet e Serbisë për të kundërshtuar proceset euro-atlantike në rajon dhe për të ruajtur ndikimin e saj mbi komunitetin serb në Kosovë.
Fetoshi ka theksuar se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka artikuluar hapur synimin për kontrollin e votës së serbëve të Kosovës përmes Lista Serbe.
Sipas drejtorit të Institutit Octopus, arrestimet e fundit të personave të dyshuar për blerje ose ndërmjetësim votash në favor të Listës Serbe kanë kufizuar hapësirën e ndikimit të Beogradit në procesin zgjedhor. Ai pretendon se mobilizimi i punonjësve të strukturave ilegale në veri dhe nxitja e incidenteve përmes narrativave identitare përbëjnë pjesë të një operacioni hibrid që synon të cenojë rendin publik dhe integritetin e zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Pas dështimit në Mal të Zi dhe goditjes së sekserëve, Serbia po përpiqet të krijojë një krizë të re në veri, me qëllim të ndikimit në procesin zgjedhor dhe ruajtjes së kontrollit politik mbi komunitetin serb në Kosovë”, ka shkruar Fetoshi.