Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka thënë se pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në misionin paqeruajtës në Gaza e përmbyll procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

“Krejt ato ëndrrat për ta minuar Republikën e Kosovës që vijnë nga Beogradi dhe mbështeten nga Rusia, mendoj që marrin fund”, ka thënë ai në një intervistë në TV Arbëria.

Fetoshi tutje ka thënë se edhe transformimi i FSK-së në ushtri është në fazën përfundimtare.

“Në qoftë se ne kemi një ushtri profesionale të standardeve të NATO-s, e ndërtuar me një program unik të Aleancës Veri-Atlantike për Kosovën, atëherë ky është mesazhi final, kjo është hallka e fundit, ky është institucioni më reprezentativ i Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.”

“Republika e Kosovës si pjesë e rëndësishme e kontributit ndërkombëtar për paqen dhe luftimin për krah aleatëve të tjerë në vatrat e pasigurisë e të kërcënimit për lirinë dhe demokracinë kudo në botë”, ka thënë ai, duke shtuar se në mënyrë simbolike kështu do ta quajë kulmimin e afirmimit të Kosovës përtej ngërçit që ka pasur në konsolidimin ndërkombëtar me OKB-në, si pasojë e vetos ruse dhe kineze në Këshillin e Sigurimit.

“Përtej këtij dimensioni të pengesës procedurale për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës, besoj që FSK në misionin e ndërtimit të paqes në Gaza është ngulmimi dhe është mesazhi final i afirmimit ndërkombëtar të Kosovës si partner i rëndësishëm për paqen dhe kundër kërcënimeve të lirisë dhe demokracisë kudo në botë”, ka thënë Fetoshi.