Fetoshi: Propaganda serbe e komplekson edhe gënjeshtrën

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi në një analizë të publikuar në Facebook, argumenton se strategjia hibride e Serbisë ndërton paralelisht narrativa të viktimizimit dhe heroizmit, me synimin për të manipuluar opinionin publik dhe për të nxitur mobilizimin nacionalist.

Sipas tij, kjo strategji kombinon kornizime vajtuese dhe triumfaliste, përmes të cilave veprimet institucionale të Kosovës paraqiten si represion ndaj serbëve, ndërsa personat e dyshuar për krime lufte glorifikohen si heronj dhe masat kundër strukturave ilegale interpretohen si sulme ndaj të gjithë komunitetit serb.

Duke iu referuar raportimeve të mediave serbe brenda një dite të vetme, Fetoshi veçon shembuj ku ndërtimi i rrugës që lidh Kosovën me Malin e Zi paraqitet si “qëllim për fshirjen e historisë dhe popullit serb”, guidat turistike të Ministrisë së Kulturës si “plan për shuarjen përfundimtare të identitetit serb”, arrestimet e të dyshuarve për krime lufte si “vazhdim i spastrimit etnik” të serbëve, ndërsa një betejë e shekullit XIX në Mal të Zi interpretohet si “vazhdim i Betejës së Kosovës”, pavarësisht se ngjarjet ndahen nga një distancë kohore prej 487 vitesh.

Ai vlerëson se kjo skemë narrative riprodhohet vazhdimisht, duke ndryshuar intensitetin dhe tonalitetin në varësi të zhvillimeve politike brenda Serbisë dhe në arenën ndërkombëtare.

“Ndonjëherë ‘bombardohet’ më shumë (sipas modelit rus) me mohim e relativizim, si në rastet e përvjetorëve të Masakrës së Reçakut apo të Gjenocidit në Srebrenicë, herë të tjera me “besëlidhje” e “patriotizëm”, si në rastet e Vidovdanit, Krishtlindjes apo Vitit të Ri Ortodoks, duke mos i lënë anash edhe fushatat linçuese ndaj “tradhëtarëve” apo arrestimet e atyre që tregojnë për krimet e Serbisë”, thekson Fetoshi.

Sipas tij, të gjitha së bashku ravijëzojnë strategjinë hibride që synon dështimin e Kosovës, si një parakusht për projektin e ‘Botës Serbe’”, duke paralajmëruar se rrethanat e reja gjeopolitike nuk e bëjnë të pamundur riciklimin e traumave dhe tragjedive të së kaluarës.

Në analizën e tij, Fetoshi identifikon katër objektiva kryesorë të kësaj qasjeje: demonizimin e Kosovës, mohimin e krimeve, mobilizimin nacionalist dhe ndërkombëtarizimin e narrativës së “persekutimit” të serbëve.

Ai thekson se këto narrativa synojnë që çdo veprim të institucioneve të Kosovës në funksion të sundimit të ligjit, drejtësisë dhe ushtrimit të sovranitetit të perceptohet si represion etnik, kërcënim fetar ose diskriminim administrativ, me synimin që ky perceptim të depërtojë edhe në opinionin ndërkombëtar dhe të pengojë konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.

Fetoshi argumenton se ky fenomen është bërë edhe më sfidues për shkak të transformimit të mjedisit informativ nga teknologjitë digjitale.

Sipas tij, zhvendosja e audiencës në platformat online, ndikimi i algoritmeve, përdorimi i llogarive të rreme, efekti i jehonës (echo chamber) dhe viraliteti i përmbajtjeve kanë krijuar kushte shumë më të favorshme për manipulimin e opinionit publik. Në të njëjtën kohë, Inteligjenca Artificiale ka ulur ndjeshëm koston dhe kohën e nevojshme për prodhimin e teksteve, audiove dhe videove të fabrikuara, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë dallimin ndërmjet faktit dhe manipulimit.

Duke iu referuar Konceptit Strategjik të NATO-s të vitit 2022 dhe literaturës bashkëkohore mbi kërcënimet hibride, ai nënvizon se hapësira informative është shndërruar në një nga fushëbetejat kryesore të rivalitetit gjeopolitik, ku ndikimi mbi perceptimin publik ka marrë një rëndësi të krahasueshme me kapacitetet ushtarake.

Fetoshi konsideron se pikërisht në këtë kontekst qëndron rreziku i interpretimeve që në pamje të parë mund të duken absurde, pasi mjedisi digjital mundëson shumëfishimin dhe përsëritjen e pandërprerë të dezinformatave, duke krijuar një disproporcion të madh ndërmjet të vërtetës dhe manipulimit.

“Një fakt historik, dokument apo vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocidin nuk zhbëhet, por në hapësirën digjitale ai përballet çdo ditë me shumëfishin e përmbajtjeve që e mohojnë apo rikornizojnë atë”, thekson Fetoshi.

Për këtë arsye, ai konsideron se e vërteta nuk mund të mbrohet më vetëm përmes ripublikimit të fakteve, por kërkon një proces të vazhdueshëm ridokumentimi, në përpjesëtim me intensitetin e luftës narrative.

Në fund të analizës Fetoshi vlerëson se përballja me këto kërcënime kërkon kapacitete të koordinuara kundër “kapjes epistemike”, komunikim strategjik dhe investime afatgjata në edukimin medial të brezave.

“Vetëm duke zhvilluar mekanizma mbrojtës ndaj së vërtetës, mund të garantohet qëndrueshmëria demokratike dhe të evitohen grackat e manipulimit në epokën e luftës hibride”, përfundon Fetoshi.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika