Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” ka mbajtur Forumin 2026 me temë “Integriteti Zgjedhor përballë Kërcënimeve Hibride: Implikimet e Sigurisë nga Ndërhyrja e Huaj”, ku u diskutua për ndërhyrjet hibride dhe sfidat e sigurisë në proceset zgjedhore në Kosovë.
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, tha se Serbia vazhdon të ndërhyjë në Kosovë, veçanërisht gjatë proceseve zgjedhore.
“Dy kongresmenë amerikanë që sapo e përfunduan një vizitë në rajon, e identifikuan Serbinë si faktor diskriminimi dhe destabilizimi, prandaj kanë propozuar anëtarësimin e Kosovës në NATO. Serbia vazhdon të ndërhyjë në Kosovë, sidomos në proceset zgjedhore, dhe duke përdorur një strategji të kombinuar destabilizimi përmes propagandës, presionit politik, rrjeteve kriminale, spiunazhit e instrumentalizimit të komunitetit serb. Çdo cikël zgjedhor shoqërohet me ndërhyrje në nivelin politik, informativ dhe të sigurisë, duke identifikuar operacionet hibride nga mekanizma shtetërorë e jo shtetërorë, përfshirë strukturat e inteligjencës, mediat, rrjetet kriminale dhe instrumentet politike si Lista Serbe”, tha ai.
Sipas tij, Serbia po përdor komunitetin serb në Kosovë për qëllime politike.
“Përmes presionit, frikësimit, varësisë ekonomike dhe manipulimit informativ, Serbia po i mban peng serbët e Kosovës, duke i përdorur ata si armë për qëllimet politike dhe interesat klienteliste të Vuçiqit. Thirrjet për ta votuar Listën Serbe si garancia e vetme për mbijetesën e serbëve në Kosovë, jo vetëm që vërtetojnë rolin e saj si instrument politik i Beogradit apo qasjen minuese ndaj sovranitetit të Kosovës, por edhe angazhimin shtetëror kundër të drejtës së qytetarëve serbë për zgjedhje të lira dhe përfaqësim demokratik”, tha ai.
Fetoshi tha se mbrojtja e proceseve zgjedhore është e rëndësishme edhe për stabilitetin rajonal.
“Prandaj, neutralizimi i ndërhyrjeve të Serbisë në proceset zgjedhore të Kosovës nuk është vetëm detyrë në shërbim të interesave të vendit, por edhe një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e vlerave fundamentale evropiane. Në kontekstin e vlimeve aktuale gjeopolitike, kjo detyrë kërkon maturi institucionale, transparencë demokratike dhe argumentim sistematik ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke e trajtuar ndërhyrjen e Serbisë jo vetëm si çështje të sigurisë kombëtare, por edhe si kërcënim ndaj integritetit të proceseve demokratike në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, foli për përvojat gjatë organizimit të zgjedhjeve në veri të Kosovës.
“Çështja e zgjedhjeve asesi nuk hiqet nga agjenda në Kosovë, kështu që gjithmonë mbetet si temë interesante dhe temë, e cila është në fokus të të gjithëve. Gjatë viteve të cilave unë kam qenë kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kemi pasur përvoja të ndryshme lidhur me sigurinë, e sidomos me çështjet të cilat kanë të bëjnë me veriun e Kosovës. Në qoftë se ju kujtohet, jo shumë larg koha kur ka qenë viti 2013, kur në vitin kur për herë të parë në veriun e Kosovës janë mbajtur zgjedhjet, janë organizuar në mënyrë legale, sepse atje është tentuar që të organizohen zgjedhjet, po asnjëherë nuk ka pasur zgjedhje të mirëfillta. Pra, gjithmonë kanë qenë vetëm, po e themi ashtu, një farë lloj tentimi i organizimit të zgjedhjeve. Mirëpo, në vitin 2013, KQZ-ja për herë të parë ka arritur, dhe atë vetëm pasi që është bërë një marrëveshje në Bruksel, ku kam qenë edhe unë pjesë e atyre diskutimeve me Serbinë, është arritur një lloj dakordimi që të mbahen zgjedhjet në veriun e Kosovës”, tha ajo.
Daka tha se gjatë atyre proceseve kishte pasur ndërhyrje dhe incidente serioze.
“Megjithatë, përkundër të gjitha përpjekjeve, ka ndodhur që në ditën e zgjedhjeve të kemi trazira. Ka pasur edhe një vdekje e një komisioneri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka pasur thyerje të kutive, pra ka pasur ndërhyrje të lloj-llojshme nga shteti fqinj, nga Serbia. Pra, KQZ-ja gjithmonë është përballur me tentativa nga shteti i Serbisë për ndërhyrje gjatë organizimit të zgjedhjeve, e sidomos në pjesën e veriut. Këto ndërhyrje kanë qenë të lloj-llojshme, duke filluar nga vetë Lista Serbe, e cila ka qenë bartëse e, po them, e tentativës së Serbisë që të ndërhyjë në zgjedhje, dhe atë duke tentuar që kandidatët të cilët kanë marrë pjesë të manipulohen dhe të drejtohen drejtpërsëdrejti nga Serbia”, tha ajo.
Vllaznim Surdulli nga Policia e Kosovës, tha se institucionet e sigurisë janë përgatitur për sfidat hibride.
“Jam pjesë e proceseve zgjedhore më shumë se një dekadë edhe gjatë kësaj dekade në aspektin e sigurisë kam parë transformim edhe përgatitje edhe në aspektin pozitiv të institucioneve të sigurisë për me u përballë me sfida të tilla. Ajo çka duhet me thënë në fakt është që duhet me pranu realitetin se lufta hibride është edhe në pjesën tonë, edhe si institucion i sigurisë Policia e Kosovës ashtu i ka ndërmarrë veprimet e duhura thjesht me përgatit stafin për sfida të reja. Kemi edhe rastet e fundit të ndërlidhur me temën e caktuar, në Graçanicë arrestimin e disa zyrtarëve komunalë të cilët e kanë përdorur aspektin ekonomik e social edhe të presionit në punonjësit e tyre duke ju dhënë vendime për largimin nga puna”, tha ai.
Hulumtuesi nga Hibrid.info, Festim Rizanaj, foli për narrativat dezinformuese gjatë fushatave zgjedhore.
“E para është domethënë narrativa e terrorit institucional dhe arrestimeve politike domethënë çdo zhvillim politik në Kosovë interpretohet domethënë nga gazetarët serbë amplifikohet nga mediat në Serbi. Pra siç i cekëm arrestimet në Graçanicë këtu paraqiten me një narrativë të tillë që është një plan i Albin Kurtit sepse për ta Albin Kurti është antagonisti kryesor dhe për të goditur shtyllat e mbijetesës së serbëve në Kosovë këta të burgosur llogariten ose etiketohen në njëfarë forme si të burgosur politikë pa ndonjë bazë domethënë ligjore. Po ashtu edhe gjykimet për krime lufte po përdoren në njëfarë forme si domethënë në narrativat e tyre serbe si strategji politike për fushata elektorale në njëfarë forme duke i fajësuar serbët për çdo gjë domethënë serbët në një përgjithësim të tërë”, tha ai.
“E dyta është narrativa e manipulimit zgjedhor përmes pastrimit të komisioneve domethënë siç e dimë zëvendësimi i fundit i komisionerëve këtu prezantohet se KQZ-ja ka pastruar vendvotimet nga përfaqësuesit e Listës Serbe me një qëllim të caktuar domethënë për t’i lejuar ato në njëfarë forme programe keqdashëse nga pjesa e partive politike shqiptare për t’i manipuluar zgjedhjet në dëm të partive serbe dhe politikanëve serbë”, tha ai.
“E treta është narrativa e blerjes së votave përmes diasporës domethënë që ka qarkulluar këtyre ditëve shifra e të regjistruarve për të votuar nga diaspora që ishte dikun rreth 140 mijë në mediat serbe domethënë është portretizuar si një lloj plani domethënë i keq për goditje ndaj vullnetit të qytetarëve domethënë ku kryesisht këta gjithmonë çdo zhvillim e lidhin në dëm të komunitetit serb”, tha ai.
Sot në Kosovë partitë politike kanë nisur zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.