Fetoshi: Themelimi i degës së “Shoqërisë Historike Ruse” në Beograd është kërcënim për sigurinë
Drejtori i Institutit Octopus, Arber Fetoshi, vlerëson se themelimi i degës së “Shoqërisë Historike Ruse” në Beograd është treguesi më i qartë i superstrukturës hegjemoniste të “vëllazërisë sllave”, që sipas tij shënon kërcënimin më serioz për sigurinë dhe rendin demokratik. Fetoshi, mes tjerash, vlerëson se shefi i kësaj dege, Aleksandër Vulin, ish ministër i Brendshëm […]
Drejtori i Institutit Octopus, Arber Fetoshi, vlerëson se themelimi i degës së “Shoqërisë Historike Ruse” në Beograd është treguesi më i qartë i superstrukturës hegjemoniste të “vëllazërisë sllave”, që sipas tij shënon kërcënimin më serioz për sigurinë dhe rendin demokratik.
Fetoshi, mes tjerash, vlerëson se shefi i kësaj dege, Aleksandër Vulin, ish ministër i Brendshëm dhe ish shef i Shërbimit të Inteligjencës serbe (BIA), i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion dhe lidhje me Kremlinin, e shpërfaqi të vërtetën e shoqërisë në Asamblenë Themeluese në Beograd, duke e prezantuar si një “pikë takimi për të gjithë ata të cilët e shohin Serbinë si një shtet që do të luftojë pa asnjë rezervë për krijimin paqësor të botës serbe dhe si aleat i vërtetë i Rusisë e Kinës”, njofton Dukagjini.
“Për vetëm katër ditë (24-27 tetor), tri ngjarje të ndërlidhura shpërfaqën tri nivele të një strategjie të maskuar: Aleksandër Vuçiq amplifikoi narrativën “Serbia drejt BE-së, por pa e njohur Kosovën”; Aleksandër Vulin institucionalizoi “nënshtrimin” strategjik ndaj Rusisë përmes shoqërisë “historike”; dhe Sergei Lavrov propozoi një model të ri të sigurisë për Euro-Azinë, duke “garantuar” se nuk kanë pasur dhe nuk kanë qëllim të sulmojnë ndonjë anëtar të NATO-s dhe BE-së. Ky trinom Lavrov-Vuçiq-Vulin riformuloi qëndrimin ndaj komunitetit euro-atlantik (duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor) sipas alternativës: ose lejoni realizimin e interesave ruso-serbe në Europë ose do të përballeni me luftë. Një strategji e maskuar që përbën bazën e zbatimit të idesë gjeopolitike të Aleksandër Duginit për Neo-Euroaziatizmin”.
“Megjithatë, nëse “Qendra Humanitare Ruso-Serbe” në Nish (2012) ishte hapi i parë drejt “putinizimit” të Serbisë, themelimi i “Shoqërisë Historike” paraqet zgjatimin më të sofistikuar të saj, që synon ta mishërojë “të vërtetën” e fabrikuar përmes politikës së kujtesës”, ka thënë Fetoshi.
Më poshtë e gjeni reagimin e plotë të tij.















