Fetoshi: Vuçiq me retorikën e Millosheviqit, për projektin e “Botës Serbe”

Arben Fetoshi, drejtor i Instituti për Studime të Luftës Hibride 'Octopus' (Foto nga intervista në FIVE në RTV Dukagjini)

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se me deklaratat e tij po përsërit narrativën e përdorur dikur nga ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq. Sipas tij, kjo përbën vazhdimësi të të njëjtit diskurs politik, i cili shërben si instrument i strategjisë hibride të Serbisë kundër Kosovës dhe Perëndimit.

Përmes një postimi në Facebook, Fetoshi tha se pas deklaratave të zyrtarit serb Paunoviq dhe vendosjes së monumentit për Brigadën e 37-të të Motorizuar në Rashkë, Vuçiq, së bashku me liderin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, politikanin malazez Milan Knezheviq dhe patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, kanë konfirmuar, sipas tij, vazhdimësinë e politikave të Millosheviqit.

“Pas sinjalizimit nga Paunoviq dhe ‘heroizimit’ të kriminelëve me monumentin për Brigadën e 37-të të Motorizuar në Rashkë, Vuçiq, Dodik, Knezheviq dhe Porfirije konfirmuan në Mërkonjiq Grad vazhdimësinë e maskuar të Millosheviqit”, ka shkruar Fetoshi.

Sipas tij, gjatë ceremonisë për përkujtimin e operacionit kroat “Stuhia”, krerët e projektit “Bota Serbe” promovuan një strategji të bazuar në viktimizimin e Serbisë dhe paraqitjen e Perëndimit si përgjegjës për vuajtjet e serbëve.

Fetoshi vlerësoi se fjalimi i Vuçiqit ishte i mbushur me retorikë emocionale dhe synonte mohimin e përgjegjësisë së Serbisë për krimet e luftës, si dhe legjitimimin e projektit “Bota Serbe”.

“Në një fjalim me ngarkesë emocionale, Vuçiq ia kaloi edhe Millosheviqit, duke kërcënuar se ‘Serbia s’do të lejojë kurrë më dhe askund të përsëritet Stuhia’ dhe se është mjaftueshëm e fuqishme për ta mbrojtur popullin e vet”, ka shkruar ai.

Sipas Fetoshit, me pretendimet se serbët nuk i shkaktuan luftërat e viteve ’90 dhe me retorikën për mbrojtjen e serbëve kudo që jetojnë, Vuçiq synon të mohojë përgjegjësinë shtetërore për krimet e luftës dhe të justifikojë objektivat e projektit “Bota Serbe”.

Ai shtoi se të njëjtën linjë e kanë ndjekur edhe Millorad Dodik, Milan Knezheviq dhe patriarku Porfirije.

“Të njëjtën narrativë e përforcoi Millorad Dodik, duke akuzuar Kroacinë për ‘gjenocid’ dhe duke pretenduar se ‘Stuhinë’ e kanë organizuar ‘ekspertët amerikanë’. Ndërkaq, Knezheviq vazhdoi me retorikën kundër BE-së, ndërsa Patriarku Porfirije e ‘vulosi’ rrëfimin për serbët si ‘një popull i vetëm’, duke i dhënë ‘Botës Serbe’ legjitimitet kishtar”, theksoi Fetoshi.

Sipas tij, Vuçiq, Dodik, Knezheviq dhe Porfirije përfaqësojnë katër shtyllat kryesore të komunikimit strategjik të projektit “Bota Serbe”, ndërsa revizionimi i historisë është element kyç i kësaj strategjie.

Në fund, Fetoshi paralajmëroi se mohimi i krimeve, falsifikimi i historisë dhe retorika shoviniste mund të prodhojnë pasoja të ngjashme me ato të së kaluarës.

“Pavarësisht fakteve dhe vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, me strategjinë e mohimit projektohet ‘ndërrimi i roleve’, ndërsa viktimizimi synon të legjitimojë projektin si mekanizëm mbrojtës. Të njëjtën skemë dhune e shkatërrimi bota e ka parë me Millosheviqin”, ka përfunduar Fetoshi.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika