Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar se është duke përgatitur komentet e nevojshme dhe do të dorëzojë padi në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) për shkak të shkeljeve të ndodhura gjatë ndeshjes kundër Rumanisë.

Në Bukuresht, ndeshja midis Kombëtares së Rumanisë dhe Kosovës u ndërpre për rreth 50 minuta pasi tifozët shfaqën një pankarta me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

FFK ka akuzuar tifozët e Kombëtares së Rumanisë për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe denigrimin e imazhit të Kosovës përmes kësaj sjelljeje të papërshtatshme.

Ata kanë theksuar se kanë kërkuar ndërprerjen e lojës deri në heqjen e pankartave dhe shprehjeve të tilla të urrejtjes, dhe kjo kërkesë është miratuar nga delegati i ndeshjes.

FFK gjithashtu ka bërë thirrje tek UEFA që të dokumentojë të gjitha shkeljet e ndodhura gjatë ndeshjes dhe të marrë masa adekuate kundër sjelljeve nacionaliste, pankartave dhe gjuhës së urrejtjes të shprehura nga tifozët e Kombëtares së Rumanisë.

“Federata e Futbolli e Kosovës po ashtu iu ka drejtuar Komisionit Disiplinor të UEFA-s me kërkesën që të merren masat adekuate në raport me brohoritjet nacionaliste, pankartat dhe gjuhën e urrejtjes të shprehur nga tifozët e kombëtares së Rumanisë”, thuhet në reagimin e FFK-së.

Ndeshja u ndërpre për rreth 50 minuta për shkak të sjelljeve diskriminuese dhe rifilloi pasi delegacioni i UEFA-s ia kujtoi organizatorit që të mos lejonte përsëritjen e sjelljeve të tilla diskriminuese.

Ndeshja e luajtur më 13 shtator përfundoi me fitoren 2:0 në favor të Rumanisë dhe ishte e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.

Rumania është një prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, së bashku me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë.