Federata e futbollit e Kosovës që drejtohet nga kryetari Agim Ademi, nuk ka lejuar që mediat ta përcjellin nga afër Kuvendin e Punës, i cili u mbajt të martën në selinë e FFK-së.

Kjo nuk është hera e parë që pengohen gazetarët. Më herët nuk ishin lejuar as në Kuvendin Zgjedhor dhe atë të Jashtëzakonshëm.

Kryetari Agim Ademi, tha shkurt se nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Në fakt, nga të gjitha mediat kosovare, prezent ishte vetëm TV Dukagjini.

“E keni live dhe në fund ka deklarata. Nuk ka mundësi fizike. Sinqerisht nuk ka mundësi fizike”, u shpreh Ademi.

Në praninë e 48 delegatëve pa asnjë votë kundër, u miratuan, raporti i punës, raporti i auditorit dhe pasqyrat financiar të vitit 2023, projekt-buxheti për vitin 2024, Kodi Zgjedhor, Komisioni Zgjedhor dhe organet gjyqësore. Boxheti i FFK-së, për këtë vit është më shumë se 20 milionë euro.

I vetmi që pati vrejtje në tri pika të raportit të punës, por që i votoi të gjitha, ishte delegati i Dritës, Valon Zymberi, i cili kërkojë sqarime nga kryetari Ademi, në lidhje me shpërndarjen e parave për klubet nga fondi i solidaritetit.

Ademi siguroi Zymberin se asgjë në FFK nuk bëhet krye në veti dhe se të gjitha klubet dhe shkollat e futbollit në Kosovë do të përfitojnë.

Ky ishte Kuvendi i parë i punës i mbajtur nga FFK-ja pas një viti.