Nisur nga ky sezon i ri në futbollin kosovar, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është duke kërkuar para nga televizionet, në mënyrë që t’ua lejojë transmetimin e përmbledhjeve të ndeshjeve të Superligës, Ligës së Parë dhe Kupës së Kosovës.

Kjo gjë po ndodh për herë të parë.

Viteve të fundit publikimi i golave, i asistimeve, i vendimeve të dyshimta të gjyqtarëve e shumëçka tjetër është bërë pa pagesë.

Por, që nga 1 gushti i vitit 2024 gjërat kanë ndryshuar.

1 gusht është data kur FFK-ja u ka dërguar email televizioneve, duke iu kërkuar para për t’ua lejuar këto transmetime.

12 mijë e 600 euro i kërkon shtëpia e futbollit kosovar për sekuencën me kohëzgjatje deri në 60 sekonda të ndeshjeve, kurse 23 mijë e 400 euro për sekuencën deri në katër minuta.

Nëse nuk kryhet kjo pagesë, atëherë emisionet sportive nuk do të kenë mundësi t’i publikojnë dhe analizojnë me panelistët e tyre ndeshjet apo edhe rastet e dyshimta, që nuk janë të pakta në futbollin kosovar.

Për gjithë këtë “katrahurë” të krijuar është arsyetuar presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në një prononcim për “KosovaPress”.

I mllefosur me diskutimin rreth kësaj çështjeje, Ademi i ka quajtur “injorantë” ata të cilët nuk po pajtohen me këtë kërkesë të FFK-së.

“Injorantë që s’e njohin çështjen ose injorantë që dojnë veç me qëllim me fol diçka keq për Federatën, mund të flasin gjithçka. Kjo është në tërë botën e njohur, ne deri tash e kemi lon pa pare, jo që nuk kemi dashur me i marrë ose me e bo këtë punë. Këto mjete shkojnë të gjitha në klube. Ne sivjet e kemi një ndryshim te operatori i blerjes të drejtave televizive dhe sigurisht ndeshjet ne i organizojmë vet, ndeshjen e xhirojmë vet dhe e paguajmë vet”, ka thënë ai.

Sipas informacioneve që ka marrë TV Dukagjini, kjo nuk është në tërë botën e njohur, të paktën në vendet e rajonit si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në këto dy vende, televizionet që nuk e kanë të drejtën për transmetimin e garave të organizuara nga federatat respektive, nuk paguajnë për publikimin e sekuencave të shkurtra.

Gjuha e kryetarit të FFK-së bëhet edhe më e ashpër, kur sipas tij është “marre” që televizionet nuk i kanë mjetet financiare për të paguar transmetimin e “highlights”.

“Neve na kushton dikund 1.500 deri në 1.800 euro një ndeshje për ta xhiru. Nëse e shohim se sa kemi kërku që t’i mbulojmë këto, kemi kërku një shumë që çdo televizioni nëse e përpjesëtojmë me ndeshje i bjen 115 euro në ndeshje. Me thonë nuk i kemi ato mjete është marre”, vazhdon Ademi.

Megjithatë, pothuajse të gjitha mediet përmes një emaili ia kanë bërë të ditur FFK-së se nuk kanë interes për t’i paguar “highlights”.

Në anën tjetër, Agim Ademi kërkon nga televizionet që të jenë bashkëpunues.

Ndërsa, zotohet që paratë e të drejtave televizive nuk shkojnë në llogarinë e FFK-së, por të klubeve.

“Ky është produkt i FFK-së dhe nuk kemi kërku strikt qe me na i dhonë ato pare. Pse nuk munden me na liru për aq pare televizionet, me qenë bashkëpunues me neve, me kombi të xhirojnë aq lojë sa i bjen një kompanie televizive pa pare, dhe ne ja japim pa pare njësoj. Nuk janë paret që Federata i merr për vete, asnjë cent, edhe njëherë po e përsëris asnjë cent nga drejtat televizive dhe nga këto momentet më të rëndësishme të ndeshjeve që i kemi bërë dhe që është bërë kaq bujë, i marrin të gjitha klubet sepse është produkt i klubeve”, ka përfunduar Ademi.

Duhet cekur se në xhiron e parë të Ligës së Parë në sezonin 2024/25 nuk është transmetuar asnjë ndeshje.

Ndërsa, edicionin e kaluar është transmetuar vetëm një ndeshje për xhiro.