FFK reagon në FIFA për thirrjet raciste të serbëve ndaj shqiptarëve





Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar në FIFA ndaj fyerjes së rëndë të trajnerit të Përfaqësueses së Serbisë dhe veprimeve raciste të tifozëve serbë në ndeshjen e Kupës së Botës, Zvicër – Serbi, e zhvilluar më dy dhjetor.

Përmes një komunikate për media thuhet se shfaqja e slloganeve me mesazhe politike dhe thirrjet raciste ndaj shqiptarëve u dëgjuan po thuajse gjatë tërë ndeshjes dhe për to raportuan edhe mediat botërore.

“Ekipe dhe tifozë me sjellje e filozofi të urrejtjes së njeriut për njeriun nuk do të duhej të kenë vend në ngjarje kaq të rëndësishme sportive siç është Botërori ‘Katari 2022’”.

“Është e pakuptimtë dhe absurde urrejtja me të cilën është ushqyer ndër vite opinioni në shtetin fqinj ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, në vend se të angazhoheshin për dorën e pajtimit dhe të kërkimfaljes”, thuhet në njoftim.

FFK ka parashtruar ankesë me dëshmitë e nevojshme në FIFA edhe për këtë rast, pak ditë pas ankesës lidhur me shfaqjen e pankartës në zhveshtoren e Përfaqësueses së Serbisë, me hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “S’ka dorëzim”.

“FFK kërkon nga FIFA hetim të këtij rasti dhe sanksione ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, në mënyrë që thirrjet fashiste njëherë e përgjithmonë të qëndrojnë larg stadiumeve të futbollit dhe larg eventeve si Kupa e Botës”, vijon njoftimi.

Thirrjet e tilla nga tifozët e një ekipi pjesëmarrës në Kupën e Botës, sipas FFK-së, nuk mund të kuptohen e arsyetohen nga askush.

“Sidomos tani kur Evropa po kërcënohet nga situata e brishtë e sigurisë si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë”.

FFK do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të vlerave dhe dinjitetit të vendit dhe popullit të saj, por njëherësh edhe në mbrojtje të vlerave që përçon futbolli në përgjithësi, e që janë uniteti mes njerëzve, shpresa, gëzimi dhe pasioni për gjithpërfshirje.





Shija e redaktorit

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Të fundit nga rubrika