Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se kjo javë do të nisë me mot të kthjellët, por nga mesi i javës priten vranësira dhe reshje shiu në disa rajone të vendit.

Të hënën do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të jenë nga 3 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të shkojnë deri në 20 gradë. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja.

Të martën pritet mot i ngjashëm, me alternime mes diellit dhe vranësirave. Në disa zona të izoluara mund të ketë riga të dobëta shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4 dhe 6 gradë, kurse ato maksimale nga 18 deri në 21 gradë Celsius. Erërat do të fryjnë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-6 m/s.

E mërkura do të sjellë mot kryesisht të vranët, me intervale të shkurtra me diell. Vranësirat mund të sjellin reshje të dobëta shiu në disa zona.

Temperaturat pritet të lëvizin nga 5 deri në 8 gradë minimalet, ndërsa maksimalet nga 18 deri në 21 gradë. Edhe këtë ditë do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga veriperëndimi.

Të enjten pritet ndryshim i motit. IHMK-ja paralajmëron reshje shiu në mbarë vendin. Temperaturat do të bien lehtë, me minimalet nga 4 në 7 gradë dhe maksimalet nga 14 në 16 gradë Celsius.

Edhe e premtja do të karakterizohet me mot të vranët dhe reshje të herëpashershme shiu.

Temperaturat do të qëndrojnë në të njëjtat vlera si një ditë më parë – nga 4 deri në 6 gradë minimalet dhe 14 deri në 16 gradë maksimalet. Do të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5 m/s.