Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka njoftuar se kanë filluar vizitat sistematike shëndetësore në të gjitha shkollat e kryeqytetit.

“Sot bashkë me drejtoreshën e Arsimit znj. Besiana Musmurati dhe drejtorin e QKMf dr. Bujar Gashi kemi vizituat shkollen fillore “Shkēndija” në Hajvali për të parë nga afër procesin e vizitave sitematike të nxënësve në shkollate e kryeqytetit”, ka shkruar Sadiku.

Sadiku ka theksuar se Drejtoria e Shëndetësisë në Prishtinë në bashkëpunim me Drejtorisë së Arsimit kanë filluar vizitat sistematike shëndetësore për nxënësit e shkollave në kryeqytet.

“Këto vizita realizohen nga stafi mjekësor i kujdesit parësor shëndetësor pas vitit akademik 2018\19 dhe kanë si synim kontrollin shëndetësor të të gjithë nxënësve të klasëve të I, V dhe IX në të gjitha shkollat me qëllim të zbulimit dhe parandalimit të sëmundjeve, promovimin e shëndetit dhe edukimin shëndetësor”, ka shtuar tutje Sadiku.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Prishtinë ka thënë se gjatë këtyre vizitave, do të identifikohen shumë patologji, të cilat do të ndihmojnë Drejtorinë e Shëndetësisë të merr masat e duhura për evitimin e tyre në të ardhmen.

Sadiku ka treguar se kjo do të arrihet përmes programeve të: promovimit të ushqimit të shëndetëshëm, formave të shëndetshme të jetës, promivimit të ruajtjes së higjenës personale dhe promovimit të ruajtjes së higjenës orale,

“Kjo mundëson krahasimin me rezultate konkrete dhe të matshme për shëndetin e të gjithë nxënësve dhe masave konkrete që pritet pastaj të ndërmerren bazuar në këto rezultate”.

Sadiku iu ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe fëmijëve për bashkëpunim dhe koordinim të plotë me stafin shëndetësor.