Sot ka nisur asfaltimi i rrugës Junik–Restavic, një ndër segmentet më të rëndësishme infrastrukturore për qarkullimin dhe zhvillimin ekonomik të kësaj zone.

Kryetari aktual i Junikut dhe kandidati i LDK-se për kryetar Ruzhdi Shehu, ka njoftuar për fillimin e punimeve përmes një postimi ne “Facebook”, duke theksuar rëndësinë e projekteve konkrete për jetën e qytetarëve dhe jo thjesht për qëllime elektorale.

“Disa e matin zhvillimin me statuse nostalgjike dhe ‘kujtime nga arkiva’. Ne e masim me metra asfalt, orë pune dhe investime konkrete që u shërbejnë qytetarëve sot, jo kujtimeve të dikujt dje,” ka deklaruar Shehu.

Sipas tij, rruga Junik–Restavic po merr pamjen që e meriton, si një domosdoshmëri për banorët që për vite me radhë kanë qenë të harruar nga vendimmarrësit.

“Rruga Junik–Restavic po merr pamjen që e meriton, jo për të bërë foto elektorale, por për të përmirësuar jetën e njerëzve të kësaj ane, të cilët për shumë kohë janë harruar nga ata që sot kujtohen vetëm për ‘kritikë’.”

Shehu gjithashtu ka shtuar se zhvillimi nuk ndërtohet me fjalë dhe nostalgji, por me punë të vazhdueshme dhe mbështetje të qytetarëve.

“Mund të flasësh gjatë për të kaluarën, por e ardhmja nuk ndërtohet me statuse; ajo ndërtohet me punë, angazhim dhe besim të qytetarëve!”

Në fund, ai ka falënderuar qytetarët për durimin dhe mbështetjen, duke shtuar se puna është duke u bërë për të gjithë dhe për të ardhmen e përbashkët.

“Rruga po shtrohet, zhurma po mbetet pas.”