Fillon dëshminë dëshmitari i 19-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar të dëshmojë dëshmitari i 19-të në këtë çështje (me kodin 04566). Para fillimit të marrjes në pyetje të tij nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), prokurori Matt Halling ka […]
Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar të dëshmojë dëshmitari i 19-të në këtë çështje (me kodin 04566).
Para fillimit të marrjes në pyetje të tij nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), prokurori Matt Halling ka lexuar një përmbledhje të shkurtër të dëshmisë së dëshmitarit të 19-të, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Anëtari i familjes së dëshmitarit 04566 shkoi në Drenoc në vitin 1998 ku e mbajtën të ndaluar, pjesëtarë të tjerë të familjes shkuan të merrnin vesh fatin, por nuk u lejuan ta shihnin, anëtari i familjes së 04566 u zhduk, 04566 dhe pjesëtarë tjerë të familjes bënë shumë kërkime për të marrë vesh për fatin e të ndaluarit por pa sukses, trupi i të ndaluarit u gjet shumë vite më pas”, tha prokurori Halling.
Më tej, nga ana e prokurorit Halling është kërkuar të kalohet në seancë private.
Paraprakisht, dëshmitari 18-të (me kodin 03832) ka përfunduar dëshminë e tij, tërësisht në sesion privat.
Edhe seanca e sotme ndaj Thaçit dhe të tjerëve, fillon sërish në sesion privat
Seanca e së martës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar në sesion privat.
Dëshmitari 18-të (me kodin 03832) ka filluar dëshminë ditën e djeshme, të cilën dëshmi e ka dhënë gjatë tërë kohës në sesion privat dhe po e vazhdon edhe sot në të njëjtën mënyrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka dhënë urdhër me gojë lidhur me çështjen e mosshtimit në listën e materialeve dokumentet që veçse janë në listën e materialeve që i ka pala thirrëse.
Gjykatësi Smith tha se ky ndryshim ka pasur të bëjë vetëm me kërkesën për palët dhe pjesëmarrësit për ngarkimin e dokumenteve nga lista e materialeve të palës që ka thirrur dëshmitarin.
Andaj, është vendosur që nëse një dokument nuk është në atë listë, atëherë çdo ekip do të vendos atë dokument në listën e vet të materialeve, me arsyetimin se trupi gjykues e vlerëson se kështu është më së miri të vazhdohet tutje.
Gjithashtu, nëse një dokument nuk është në listën e provave ende, palët duhet të lajmërojnë menjëherë për pretendimin e tyre për përpilim të pyetjeve apo kundërpyetjeve duke u bazuar në atë dokument, dhe se kjo do të trajtohet nga trupi gjykues në rastin përkatës.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill, mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill, ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.
Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.
Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.
Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq. E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.















