Fillon restaurimi i Qendrës Kulturore Hebraike në Prizren
Kanë filluar punimet në ndërtesën e Qendrës Kulturore Hebraike, në Prizren, projekt ky i financuar nga Ministria e Kulturës. Ndërsa në inaugurimin e këtyre punimeve të pranishëm ishin edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ambasatorja e Izraelit, Tamar Ziv, ambasadori gjerman, Joern Rohde, shefi i misionit të OSBE në Kosovë, Michael Davenport, zëvendësambasadorja […]
Kanë filluar punimet në ndërtesën e Qendrës Kulturore Hebraike, në Prizren, projekt ky i financuar nga Ministria e Kulturës.
Ndërsa në inaugurimin e këtyre punimeve të pranishëm ishin edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ambasatorja e Izraelit, Tamar Ziv, ambasadori gjerman, Joern Rohde, shefi i misionit të OSBE në Kosovë, Michael Davenport, zëvendësambasadorja e SHBA, Alyson Grunder, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi dhe Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës.
Qendra Kulturore Hebraike do të vendoset në ndërtesën e ish-Hotel Shumadija, aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.
Projekti i revitalizimit është hartuar nga Komuniteti Hebraik në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.
Paralelisht me ndërhyrjet revitalizuese, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është në koordinim me Komunitetin Hebraik në Kosovë dhe shtetin e Izraelit, për të ndërmarrë hapat për zhvillimin e projektit të hulumtimit për ndërtimin e narrativës së ekspozitës mbi historinë e Komunitetit Hebraik në Kosovë, ekspozitë kjo e cila do të prezantohet në hapësirat e kësaj Qendre.















