Finlanda vendosi sot(e shtune) kufizime të përkohshme në trafikun ajror dhe detar në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, si masë parandaluese ndaj një kërcënimi të mundshëm nga dronët.
Sipas Forcave të Mbrojtjes finlandeze, kufizimi i lundrimit pranë qytetit juglindor të Kotkës hyri në fuqi në orën 05:45 sipas kohës lokale dhe u hoq rreth orës 09:00. Në të njëjtën kohë, u kufizua edhe hapësira ajrore në zonë për shkak të një “situate në zhvillim”.
Autoritetet thanë se masa synonte të garantonte sigurinë e qytetarëve dhe t’u mundësonte forcave të sigurisë të reagonin në rast të depërtimit të dronëve.
Megjithatë, sipas Katri Kokkola nga Komanda e Mbrojtjes së Finlandës, asnjë dron nuk hyri në hapësirën territoriale finlandeze gjatë incidentit.
Paralelisht, ushtria rriti nivelin e gatishmërisë së mbrojtjes ajrore në juglindje të vendit, ku avionët luftarakë patrulluan vazhdimisht.
Sipas mediave finlandeze, kufizimet lidhen me sulmet e fundit me dronë të Ukrainës ndaj objektivave në territorin rus, të cilat kanë rritur vigjilencën e autoriteteve finlandeze përgjatë kufirit lindor.