Ylli i kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës së tij në Bundesliga me TSG Hoffenheim.
Sulmuesi 23-vjeçar ka qenë një nga lojtarët më të spikatur këtë edicion, duke realizuar tetë gola dhe duke kontribuar me shtatë asistime, teksa Hoffenheimi synon një vend në garat evropiane.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Bundesligës, Asllani ka folur për formën e tij, rrugëtimin drejt suksesit dhe rëndësinë e përfaqësimit të Kosovës.
“Jam krenar për rrugën time”.
Asllani theksoi se suksesi i tij nuk ka ardhur rastësisht, por si rezultat i punës së vazhdueshme.
“Jam krenar për veten, sepse jo shumë njerëz do ta kishin pritur që të isha këtu ku jam sot para një viti e gjysmë. Nuk kam ndalur kurrë së punuari dhe në fund jam shpërblyer,” u shpreh ai.
Ai shtoi se sekreti i formës së tij është të shijojë lojën dhe të mos ngarkohet me presionet jashtë fushës.
Rëndësia e familjes dhe rrënjëve
Sulmuesi kosovar vuri në pah edhe rolin e madh të familjes në formimin e tij si futbollist dhe si person.
Ai tregoi se prindërit e tij kishin nisur jetën nga e para pas largimit nga lufta, duke shtuar se suksesi i tij është edhe realizim i ëndrrës së babait.
“Në një farë mënyre, unë po jetoj ëndrrën e babait tim. Nuk do ta harroj kurrë prej nga vij,” theksoi Asllani.
Momente të paharrueshme me Kosovën
Duke folur për përvojën me kombëtaren e Kosovës, ai e cilësoi si një ndër periudhat më emocionale të karrierës së tij.
Asllani kujtoi golat e rëndësishëm dhe mbështetjen e madhe nga tifozët, duke theksuar se tashmë ndihet i njohur nga publiku kosovar.
“Tani njerëzit e dinë emrin tim. Kam punuar shumë për këtë dhe më bën krenar mua dhe familjen time,” deklaroi ai.
Sfida me Hoffenheimin dhe synimet për të ardhmën
Pavarësisht një forme jo të qëndrueshme në javët e fundit, Asllani beson se skuadra e tij do të rikthehet te rezultatet pozitive.
Ai e sheh përballjen ndaj Borussia Dortmund si një mundësi ideale për kthesë, duke premtuar angazhim maksimal nga ekipi.
Sa i përket të ardhmes, ambiciet e tij janë të mëdha.
“Dua të arrij sa më larg të jetë e mundur. Po punoj çdo ditë për t’u përmirësuar dhe shpresoj që gjithçka tjetër të vijë vetë,” përfundoi ai.