Presidenti i ardhshëm i Brazilit do të përballet me një numër të pazakontë postesh të paplotësuara në institucionet më të rëndësishme të vendit, përfshirë Gjykatën Supreme, Bankën Qendrore dhe rregullatorët ekonomikë.
Vakancat e krijuara mund t’i japin fituesit të garës së ngushtë presidenciale mes presidentit të majtë Luiz Inácio Lula da Silva dhe senatorit Flávio Bolsonaro ndikim të rëndësishëm mbi institucionet që përcaktojnë politikën monetare, mbikëqyrin tregjet financiare dhe interpretojnë Kushtetutën.
Lula dhe Bolsonaro do të përballen në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të dielën, ndërsa një raund i dytë më vonë gjatë muajit konsiderohet skenari më i mundshëm.
Numri i madh i vendeve të lira pasqyron një ndryshim më të gjerë në politikën braziliane, ku Kongresi ka fituar gjithnjë e më shumë pushtet dhe po përdor miratimin e emërimeve si mjet për të ushtruar presion politik ndaj ekzekutivit, raporton Reuters.
Kongresi, ku e djathta ka shumicën, e ka shfrytëzuar këtë pushtet gjatë mandatit aktual të Lulës duke vonuar miratimin e disa prej kandidatëve të propozuar prej tij. Në disa raste, vetë Lula nuk ka paraqitur ende kandidatura.
Më parë, propozimet presidenciale dërgoheshin shpejt në komisionet e Senatit për shqyrtim dhe miratim. Por një pjesë e këtyre proceseve ngecën gjatë pandemisë, duke pritur miratimin e presidentit të Senatit.
Presidenti i Senatit, Davi Alcolumbre, ka vazhduar me këtë praktikë, duke përqendruar më shumë pushtet në Senat dhe duke e kthyer një proces që dikur konsiderohej rutinë në një vendim politik, sipas një personi të njohur me procesin, i cili foli në kushte anonimiteti.
Pallati presidencial dhe zyra e Alcolumbres nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Profesori i së drejtës në Universitetin e São Paulos, Rubens Beçak, tha se përdorimi i emërimeve presidenciale si mjet presioni politik ka bërë që ekzekutivi të jetë më i kujdesshëm në paraqitjen e kandidatëve, duke vlerësuar paraprakisht mundësinë që ata të marrin mbështetjen e Senatit.
Vakancat në Bankën Qendrore
Në Bankën Qendrore të Brazilit janë të lira prej janarit dy vende në bordin drejtues, përfshirë postin përgjegjës për politikën ekonomike dhe parashikimet që përdoren para vendimeve për normat e interesit. Kjo është periudha më e gjatë që këto poste kanë mbetur të paplotësuara.
Lula ende nuk ka paraqitur kandidatët për këto dy pozita.
Ndërkohë, në prill, senatorët rrëzuan kandidaturën e Jorge Messias, Prokurorit të Përgjithshëm të Brazilit, për një vend në Gjykatën Supreme. Ky ishte një goditje e rëndë politike për Lulën dhe bëri që një nga vendet vakante në gjykatë të mbetet i paplotësuar për gati një vit, periudha më e gjatë që nga rikthimi i Brazilit në demokraci në vitet ’80.
Edhe Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve (CVM) ka vende vakante në bordin e tij që nga fundi i vitit 2024.
Ndërsa autoriteti antitrust Cade ka mbetur pa president dhe pa dy anëtarë të bordit. Institucioni është pranë numrit minimal të anëtarëve të nevojshëm për funksionim, duke shkaktuar vonesa në shqyrtimin e bashkimeve dhe blerjeve të kompanive.
Politologu Claudio Couto, nga Fondacioni Getulio Vargas, e cilësoi numrin e madh të vendeve vakante si “thellësisht problematik”, duke paralajmëruar se kjo situatë rrezikon t’i përqendrojë emërimet në duart e një administrate të vetme dhe të politizojë institucione që duhet të jenë të paanshme.
Ndryshimi i balancës së pushtetit
Emërimet dhe projektligjet, të cilat më parë negocioheshin kryesisht mes presidentit dhe partive të koalicionit, tashmë varen gjithnjë e më shumë nga marrëveshjet mes drejtuesve të Kongresit, tha Neuriberg Dias, drejtues i organizatës DIAP, e cila monitoron punën legjislative.
Sipas tij, kontrolli në rritje i Kongresit mbi shpenzimet publike ka ndryshuar mënyrën se si zhvillohen negociatat mes pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ.
Të ashtuquajturat fonde të destinuara nga deputetët dhe senatorët për projekte lokale ose iniciativa të caktuara përbënin 7.5 për qind të shpenzimeve federale diskrecionale në vitin 2018. Në vitin 2025, kjo shifër u rrit në 21 për qind, sipas të dhënave të Ministrisë së Planifikimit të siguruara nga Reuters.
Ndërkohë, kontrolli i qeverisë mbi agjendën legjislative është dobësuar.
Vitin e kaluar, Kongresi miratoi 178 projektligje të iniciuara nga ligjvënësit dhe vetëm 50 të propozuara nga ekzekutivi.
Në vitin 2007, gjatë mandatit të dytë të Lulës, situata ishte e kundërt: atëherë u miratuan 142 projektligje të propozuara nga ekzekutivi dhe vetëm 52 nga Kongresi, sipas të dhënave të DIAP.
Këto zhvillime tregojnë për një zhvendosje të dukshme të ekuilibrit të pushtetit në Brazil, me Kongresin që po fiton rol gjithnjë e më të madh në vendimmarrjen politike dhe institucionale të vendit.