Pokrovsk nuk ka rënë ende. Kjo pavarësisht pretendimit të fundit të Presidentit Vladimir Putin se forcat ruse e kanë marrë qytetin.

Nuk ka dyshim se Ukraina ka humbur terren në këtë qytet kyç në lindje. Për Rusinë, Pokrovsk është një tjetër hap drejt qëllimit të saj për të marrë kontrollin e të gjithë Donbasit. Por Ukraina duhet të provojë se është ende e aftë të rezistojë.

Në një post komandues ukrainas, larg vijës së frontit, ushtarët koordinojnë sulme ndaj pozicioneve ruse duke përdorur transmetime të drejtpërdrejta nga dronët.

Komandanti i Regjimentit Sulmues “Skala”, Yuri, theksoi se Ukraina ende kontrollon pjesën veriore të qytetit, duke demantuar pretendimet e Kremlinit.

Përmes një manovre simbolike, dy ushtarë u urdhëruan të dalin për pak sekonda dhe të valëvisin flamurin ukrainas, duke treguar se qyteti nuk është dorëzuar.

“E pamë me sytë tanë. Bota duhet ta dijë se nuk do t’i japim territorin tonë lehtësisht. Nëse nuk e tregojmë këtë, njerëzit mund të humbasin besimin dhe të ndalojnë mbështetjen për Ukrainën”, tha Yuri.

Qyteti, dikur një qendër logjistike e rëndësishme për ushtrinë ukrainase, është shkatërruar nga luftimet që vazhdojnë prej afro 18 muajsh.

Ekspertët thonë se forcat ukrainase kanë mbajtur në mënyrë të pasigurt pjesën veriore të qytetit, ndërsa rusët avancojnë ngadalë nga jugu./BBC