Të premten në komunën e Ferizajt është vrarë një grua 21-vjeçare nga ish-bashkëshorti i saj në hapësirat e Qendrës për Punë Sociale.

Po ashtu, 36-vjecari me iniciale V.A e plagosi edhe vëllain e ish-bashkëshortes. Ai gjendet jashtë rrezikut për jetë.

Axha i viktimës, Idriz Cokli, në emisionin “Kosova Today” të Klan Kosovës, ka treguar se si e ka marrë lajmin për vrasjen dhe ka treguar se si vëllai i viktimës ka tentuar ta mbrojë motrën e tij.

“Më thirri vëllau pas orës 14, më tha që ka ndodhë dicka me Eronën. Tha po e lusim Zotin mos është ndonjë vrasje, por ai tha se më duket mos e kanë vra dhe djalin e kanë plagosur. Shkuam ne te spitali, nuk kanë leju me vizitu, e pamë që vajza ishte vrarë në vend, djali kish pas tentu me mbrojt motrën, fati tij që ia ka drejtu revolen e ka plagosë në krah, kurse motrës ia ka shkrepë në gjoks. Djali thotë më andej nuk di unë, ka mbetë tash ma andej konfirmimi”, tha ai.

Ai e ka kritikuar edhe Policinë e Kosovës.

“Një gjë më ka brengosë nga Policia, e kanë zënë kriminelin, e shof si shkon para gjykatës si mos me qenë kriminel, kokën përpjetë, pa e mbajt kush anash. Brengosja më e madhe është që ishalla ka drejtësi, por dyshoj”, tha ai.

Axha i saj tutje ka thënë se çifti ka pasur probleme dhe se vajza ka pasur dhunë psikike nga ish-bashkëshorti i saj.

“Çifti, ka që 1 vit, më pak se një vit, kanë pas mosmarrëveshje mes veti, diferenca e madhe… dhe e pashë që nuk kanë mujt me jetu bashkë, janë nda, e kanë pasur çdo dy javë me dërgu fëmijën, u vra në vendin kinse të sigurt. Dhunë psikike ka pasur. Djali i të ndjerës ndodhet në entin social, gjendja është e mirë”, tha ai.

Ai ka kërkuar që dorasi ta marrë dënimin maksimal nga Gjykata.