Flet motra e viktimës: Ishte e martuar vetëm 3 muaj, kishte dhunë fizike e psikike (VIDEO)
Motra e gruas shtatzënë, e cila u vra të mërkurën në oborrin e QKUK-së, nga bashkëshorti i saj, ka bërë të ditur se e ndjera ka qenë vetëm 3 muaj e martuar me të dyshuarin, dhe “ata muaj sa ka qenë e martuar, ka qenë pre e dhunës fizike e psikike nga burri i saj”. […]





Motra e gruas shtatzënë, e cila u vra të mërkurën në oborrin e QKUK-së, nga bashkëshorti i saj, ka bërë të ditur se e ndjera ka qenë vetëm 3 muaj e martuar me të dyshuarin, dhe “ata muaj sa ka qenë e martuar, ka qenë pre e dhunës fizike e psikike nga burri i saj”.
Në gjendje të rëndë emocionale e mes lotësh, Burbuqe Brahimi, ka thënë se gjatë kësaj kohe, motra e saj ka qenë e keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht.
“Motra ime ka qenë vetëm tre muj e martuar. Na e kemi parë vazhdimisht gjatë atyre muajve, se ka pasur probleme, jemi shkuar e kemi ndarë. Ish-burri ka vazhduar të vijë edhe të shpija, ne jemi vetëm motra pa prind e vëlla, ai i ka thënë se s’ke pse shkon në shtëpi të babës se nuk e ke askënd. Jemi shkuar se ka pasur dhunë, e kanë rrahur, e kanë maltretuar, e kanë futur brenda, me allti i kanë mëshuar në krye, krejt trupin e ka pasur të plogësht, krejt e mavit u kanë, s’e kanë lënë të vijë në Llugagji, kurr te shtëpia e babës këtu, kurr hiç-hiç të bashkohet me motra”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka thënë se i dyshuari kishte kërkuar që fëmija pas lindjes t’i kthehet dhe se e kanë lajmëruar policinë për këtë rast, por që nuk kanë marrë ndonjë ndihmë.
“Sot në mëngjes do të lindte, edhe mbasi do të lindte fëmijën do t’ia jepte ish-burrit. E kemi lajmëruar rastin edhe në Polici më herët, por na kanë thënë keni mbrojtje, po kush kurr s’është ardhur me këqyr”, ka vijuar ajo.
Ndër të tjera, ajo ka thënë se sa herë ka ardhur për vizitë te familja e saj, ka ardhur me përcjellje nga vjehrra. Ajo ka thënë se rasti është lajmëruar në organet përgjegjëse.
Sipas saj, e ndjera i ka thënë burrit që do t’ia dorëzojë fëmijën posa ta lindë.
“Edhe se kanë lënë të vijë, edhe kur ka ardhur, ka ardhur me përcjellje, me vjehrren e vet, s’e kanë lënë të vijë vetë kurrë hiç. Po po, ka ardhur, u sill nëpër sakak a këtu brenda s’ka guxoftë të hyjë, e nëpër sakak po. U kanë rasti në Polici, u kanë rasti në qendër sociale, në Gjykatë, në krejt i ka pasur rastet, i ka thënë që kur të lindë fëmijën ta dorëzojë edhe qekaq u kanë. Të shtunën e kemi çuar në spital në Gjinekologji, edhe i ka thënë doktor Hajrizi që do të lindësh, rastin e ke urgjent. Kur e kemi çuar, ata kanë thënë tej për sot, do të lindë me operacion”.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së nga bashkëshorti i saj, ka thënë se “në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, do të ketë dorëheqje dhe shkarkim” teksa ka shtuar se po të merrej më shumë prokuroria me këtë rast, do të ishte parandaluar kjo vrasje tragjike.



















