Artistja e re, Florentinë Hoti përformoi live sonte në studion e Radio Dukagjinit.
Emisioni “Super Trend” me Drilonën dhe Mirdonin çdo të martë sjell në studion e Radio Dukagjinit artistë të rinj e të talentuar, të cilët përformojnë live.
Këtë javë e ftuar ishte artistja nga Malisheva, Florentinë Hoti, e cila përformoi disa këngë shqipe.
Hoti gjatë intervistës deklaroi se muzikën e ka pasion, por e pranoi se kohëve të fundit e ka lënë pak pas dore, duke u fokusuar në disa sfera tjera.
Artistja deklaroi se muzika e vjetër i pëlqen më shumë se këngët e reja që promovohen tani. Një pëlqim të shtuar ka ndaj Sinan Vllasaliut, për të cilin thotë se i pëlqejnë të gjitha këngët e tij, dhe gjithashtu i këndon.
Ajo bëri të ditur se momentalisht po studion në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka filluar karrierën në një institucion financiar bankar.
Megjithatë, Hoti thekson se muzikën e ka pasion dhe se nga ajo nuk do të heqë dorë asnjëherë, mirëpo sipas saj gjithçka e ka kohën e vet, andaj po pret rastin e duhur për të bërë “boom”.