Mrika Nikqi ka nisur përballjen gjyqësore me personin që akuzohet se e sulmoi seksualisht atë.

Nikçi u pa e emocionuar pas seancës, që u mbajt prapa dyerve të mbyllura.

Për sulmin seksual ndaj saj, akuzohet Flori Beqiraj.

Beqiraj, e as avokati i tij, Faruk Binakaj nuk deshën të deklarohen për mediat.

I akuzuari, përkundër që në deklaratën e dhënë në polici e kishte pranuar fajësinë, sot është deklaruar i pafajshëm.

Avokati i Mrika Nikçit, Haxhë Nikqi, ka thënë se gjyqtari Veton Ademaj nuk ka dhënë asnjë arsyetim për vendimin që seanca të mbahet me dyer të mbyllura.

Nga ana tjetër, përmes telefonit, avokati i të akuzarit Beqiraj, Faruk Binakaj, ka thënë se gjatë procesit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e klientit të tij lidhur me veprën penale për të cilën akuzohet.

Rasti i sulmit seksual ishte bërë publik nga vet Mrika Nikqi.

Në pamjet e publikuara, shihej sulmuesi teksa kryen aktin.

Në aktakuzë është përfshirë deklarata e të dëmtuarës, e cila jep detaje për atë që ndodhi.

“Ka tentuar të më perqafojë duke më kafshu edhe në buzë, unë kam rezistu duke e shty dhe duke i thënë hekmu, gjatë gjithë kohës kam provu me u largu prej tij, për një moment kur e kam ngritë kokën lartë ai më ka kap për flok” (e rregulloj gramatikisht), thuhet në aktakuzën e prokurorisë sipas deklaratës së Mrika Nikqit.

Në deklaratën e saj, Nikqi ka thënë se Beqirajn nuk e ka njohur asnjëherë personalisht, por vetëm e ka njohur si figurë.

E Flori Beqiraj në shumicën e pyetjeve të Prokurorisë është deklaruar se nuk i kujtohet asgjë, duke u arsyetuar se ka qenë i dehur.

“A ka diçka që të kujtohet nga ajo natë çka ka ndodhë? I njëjti përgjigjet se: vetëm më kujtohet kur kam pirë. Në pyetjen e prokurores se: A te kujtohet kur ke deklaru se kom mendu që është e fejumja jeme dhe i kom shku mbas? I njëjti përgjigjet se: Jo nuk më kujtohet.”, ka thënë Beqiraj.

Nikqi ishte sulmuar në rrugën Wesley Clark, që ndodhet në qendër të Pejës.