Flotistët e Trepçës e Kishnicës pa paga- Artana ndëshkohet për grevën
Flotistët e tre minierave në Kosovë muajin e kaluar, nuk i ka bashkuar vetëm nëntoka. Ata të Stantërgut, Kishnicës e Artanës i ka bashkuar pritja për një të drejtë bazike, pagën. Në gjendje më të rënduar mbesin ata të Kishnicës të cilët tanimë kanë hyrë në muajin e tretë pa paga e me plot premtime […]
Flotistët e tre minierave në Kosovë muajin e kaluar, nuk i ka bashkuar vetëm nëntoka.
Ata të Stantërgut, Kishnicës e Artanës i ka bashkuar pritja për një të drejtë bazike, pagën.
Në gjendje më të rënduar mbesin ata të Kishnicës të cilët tanimë kanë hyrë në muajin e tretë pa paga e me plot premtime mbi afate për ekzekutimin e tyre, të shkelura njëra pas tjetrës.
Valdete Shabani, punëtore në Kishnicë tha se “Është e vështirë për neve sepse kemi njerëz që udhëtojnë edhe nga qytete të tjera si unë nga Mitrovica. Ç’ka vret është diskriminimi që po na bphet sepse unë e di që minatorët kanë vlerë më të madhe por kur flasim për paga, të gjithë jemi njëjtë dhe kemi të barabartë. Por, ne jemi të vendosur për të kërkuar të drejtat tona”.
E pagat e muajit maj, nuk i kanë pranuar as flotistët e Stan-Tërgut.
Këtë e ka bërë publike të hënën vet Sindikata e Trepçës e cila ka paralajmëruar veprime sindikale.
Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës
Mjaft me heshtjen dhe diskriminimin ndaj punëtorëve! Tash e disa ditë, kur do të duhej të ishin ekzekutuar pagat e muajit maj për të gjithë punëtorët e Flotacionit, sigurimit fizik, jemi përballur me një padrejtësi të radhës dhe diskriminim të hapur. Puntorët e Flotacionit dhe Sigurimi fizik nuk i kanë marrë pagat fare dhe kjo po ndodh në heshtjen e plotë të Ministrisë së Linjës, Bordit dhe Menaxhmentit të Ndërmarrjes. Pavarësisht sakrificave ditore në kushte ekstreme pune, pa furnizime, pa investime, kur ne arrijmë rekorde prodhimi për vite me radhë, ju institucionet përgjegjëse heshtni, duke na shpërblyer me zero. Ky është fyerje për çdo punëtor që rrezikon jetën çdo ditë pune mbi tokë, nën tokë! Ministri, Bordi dhe Menaxhmenti, ju jeni përgjegjës për këtë kaos dhe mungesë totale të organizimit! Në vend se të mbroni interesin e punëtorëve, po i shtyni në skaj të durimit me vonesat, ndarjet selektive të pagave dhe kushte çnjerëzore të punës. Ju kujtojmë: nuk do të ketë më heshtje përballë këtij diskriminimi. Nëse nuk ka reagim urgjent dhe ekzekutim të menjëhershëm të pagave për të gjithë punëtorët pa përjashtim, ne si Sindikatë do të ndërmarrim masa të forta sindikale dhe protesta publike. Minatorët nuk janë numra! Janë njerëz që punojnë me dinjitet në vendin më të vështirë dhe më të rrezikshëm të punës. Stop lojërave me jetën dhe djersën e tyre!
Një pjesë të pagës pas dy muaj vonese e kanë pranuar një pjesë e minatorëve në Artanë.
Kjo si lloj ndëshikimi me grevën që mbanin për paga, ani pse këtë ua garanton edhe ligji.
Megjithatë, atyre u është ofruar një alternativë që sipas sindikatës së tyre, mbetet e papranueshme.
Blerim Ymeri, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve në Kishnicë tha se “Për 13-14 ditë. Greva na mbron me ligj po pagaesat s’janë ekzekutu prapë. Është shumë e madhe, një minatori afro 600 euro minus i është bërë ndalesa. Kemi kërku nga menaxhmenti që të paktën të na i kompensoj ato ditë të vikendit ose të na i largoj nga pushimi vjetor, por s’e kanë bërë asnjërën. Kanë dhënë alternativë të punojmë të shtunën. S’jem të kënaqum me këtë vendim se kemi dasht t’i kompensojmë, së paku t’i marrim të plota rrogat por menaxhmenti s’ka pranu”.
I paqasshëm në telefon siç ka ndodhur çdo herë muajve të fundit ka qenë kryeshefi i Trepçës, Faton Ahmeti.
Megjithatë, siç merr vesh televizioni, i njëjti gjatë ditës ka zhvilluar takimin me drejtorin e ri të Kishnicës, por ende nuk ka dalë me ndonjë qëndrim për këto telashe.















