Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, është paraqitur në konferencën e parë për media para dy ndeshjeve miqësore, kundër Armenisë dhe Hungarisë.

Foda ka deklaruar se e kanë një plan të qartë se si do të luajnë në dy miqësoret e këtij muaji.

Ai ka folur edhe për lënjen e disa lojtarëve jashtë listës.

“Ne e kemi një plan shumë të qartë se si do të luajmë kundër Armenisë. Kemi qenë në shumë udhëtime dhe i kemi parë lojtarët nga afër dhe kemi vendour për këta lojtarë që i kemi ftuar. Kemi pasur një grup prej 40-50 lojtarë. Por, ne jemi përcaktuar për këta lojtarë. Gjithësesi secili prej lojtarëve duhet ta tregojë veten duke e dhënë më të mirën. Gjithashtu dyert do të jenë të hapura për të gjithë. Do ta kenë mundësinë e tyre. Mirëpo e duam t’ia japim mundësinë këtyre lojtarëve që kemi përzgjedhur. Ne do ti përcjellim të gjithë lojtarët”, u shpreh Foda.

Trajneri gjerman ka zbuluar se para se ta publikonte listën, e ka takuar Edon Zhegrovë në Austri. Kurse sa i përket ftesave, ka pohuar se vështirë është për selektorin që të ftojë lojtarë pa klube.

“Lojtarët që nuk luajnë në një ekip është problem për trajnerin me ia bë ftesën. Unë e kam parë Zhegrovën duke luajtur në Graz të Austrisë me Lillen në garat evropiane dhe pas ndeshjes kam biseduar me lojtarin”, theksoi ai.

Në fund, Foda ka treguar edhe arsyen e vërtetë se pse ka vendosur të marrë drejtimin e Kosovës.

“Jam i magjepsur me lojtarët e Kosovës dhe mendoj që janë shumë të talentuar. Për këtë kam vendosur të nënshkruajë kontratë me Federatën e Futbollit të Kosovës”, përfundoi Foda.

Kosova do të takohet me Armeninë me 22 mars, kurse pas katër ditësh përballet me Hungarinë.