Forcat izraelite bastisin spitalin më të madh të Gazës, ku qindra pacientë janë bllokuar nga luftimet
Forcat izraelite kanë bastisur spitalin më të madh të Gazës herët të mërkurën e 15 nëntorit, ku qindra pacientë, përfshirë të porsalindurit, kanë mbetur të bllokuar me furnizime të pakësuara dhe pa energji elektrike, ndërsa ushtria shtriu kontrollin e saj në të gjithë qytetin e Gazës dhe në veri. Spitali Shifa është bërë një simbol […]
Forcat izraelite kanë bastisur spitalin më të madh të Gazës herët të mërkurën e 15 nëntorit, ku qindra pacientë, përfshirë të porsalindurit, kanë mbetur të bllokuar me furnizime të pakësuara dhe pa energji elektrike, ndërsa ushtria shtriu kontrollin e saj në të gjithë qytetin e Gazës dhe në veri.
Spitali Shifa është bërë një simbol i vuajtjes së gjerë të civilëve palestinezë gjatë luftës midis Izraelit dhe Hamasit, e cila shpërtheu pasi grupi militant vrau rreth 1 mijë e 200 njerëz dhe kidnapoi rreth 240 robër në një sulm të befasishëm të 7 tetorit në jug të Izraelit.
Spitali është, gjithashtu, në qendër të narrativave të përplasura se kush është fajtori për mijëra vdekjet dhe shkatërrimet e përhapura në territorin e rrethuar. Izraeli akuzon Hamasin për përdorimin e palestinezëve si mburoja njerëzore, ndërsa palestinezët dhe grupet e të drejtave thonë se Izraeli ka rrezikuar në mënyrë të pamatur civilët ndërsa kërkon të zhdukë grupin.
Mohammed Zaqout, drejtori i spitaleve në Gaza, tha se tanket izraelite ishin brenda kompleksit mjekësor dhe se ushtarët kishin hyrë në ndërtesa, duke përfshirë departamentet e urgjencës dhe të kirurgjisë, të cilat strehojnë njësi të kujdesit intensiv. Nuk ishte e qartë nëse ai po fliste nga brenda kompleksit.
“Forcat pushtuese sulmuan ndërtesat,” tha ai i zemëruar në telefon. Ai tutje tha se pacientët, përfshirë fëmijët, janë të tmerruar. “Ata po bërtasin. Është një situatë shumë e frikshme… ne nuk mund të bëjmë asgjë për pacientët veçse të lutemi.”
Ushtria izraelite tha se po kryente një “operacion të saktë dhe të shënjestruar kundër Hamasit në një zonë të caktuar në Spitalin Shifa”. Ai tha se ushtarët ishin të shoqëruar nga ekipe mjekësore dhe kishin sjellë furnizime mjekësore dhe ushqim për fëmijë, si dhe inkubatorë dhe pajisje të tjera.
Izraeli thotë se Hamasi ka një qendër komanduese masive brenda dhe poshtë spitalit Shifa, por nuk ka ofruar prova vizuale, ndërsa Hamasi dhe stafi i spitalit i kanë mohuar vazhdimisht akuzat.
Disa orë para bastisjes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se inteligjenca e tyre që sugjeronte se Hamasi përdorte Shifa-n dhe spitale të tjera – dhe tunele poshtë tyre – për të mbështetur operacionet ushtarake dhe për të mbajtur pengje, raporton AP.















