Në Spitalin e Ferizajt u paraqit me dhimbje të papërballueshme.
Por asnjëherë para mjekëve, 19-vjeçarja nuk e pranoi se në bark mbante fëmijën prej 9 muajsh.
Andaj, nga ta kërkoi të takohej me një mjek, vetëm për dhimbje barku.
Sa priste për kontroll të martën e 5 majit, ajo kishte hyrë në tualetin e spitalit, dhe brenda qëndroi për një kohë të gjatë.
Koha kalonte por dera e saj nuk u hap, andaj dyshimi nisi të rritej tek stafi mjekësor, sidomos kur nga jashtë dëgjoheshin zbehtë disa të qara.
Pasi britma e foshnjës u dëgjua nga brenda, stafi mjekësor me ngulm tentoi të hapë derën. Kur hynë brenda tualetit panë foshnjën, kordonin e së cilës e kishte prerë vetë nëna, dhe e kishte hedhur më pas foshnjën në koshin e mbeturinave, në gjendje shumë të rëndë.
Pasi u përballën me pamjet, mjekët menjëherë nisën përpjekjet për shpëtimin e foshnjës dhe trajtimin e nënës.
Neonatologia konfirmoi se foshnja kishte edhe shenja të ngufatjes, derisa më shumë detaje dhanë nga Spitali i Ferizajt.
“Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore. Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë”.
Rasti mobilizoi menjëherë edhe Policinë e Kosovës.
Zyrtarë policorë u panë edhe të enjten në ambientet e Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, ku po ende po trajtohet 19-vjeçarja, e cila deri në mesditën e së enjtes ishte në gjendje stabile.
E, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet.
“Me vendim të Prokurorit kujdestar, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘Vrasja e foshnjës gjatë lindjes’ nga neni 176 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Ferizaj, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e gjitha rrethanave të rastit në fjalë”.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.