Fotografi i çifteve Marjan Komani, tregon sekretin e fotografisë së mirë

Fotografi, Marjan Komani, ka treguar rrugëtimin e tij si fotograf dhe gjiathashtu sekretin e një fotografie të mirë në emisionin “Drive on D” me Donika Hysenin e Mirdon Pacollin në Radio Dukagjini

Donika Hyseni (majtas), Marjan Konami (qendër), dhe Mirdon Pacolli (djathtas)

Një fotografi vlen sa 1 mijë fjalë. Një shprehje që është mëse e vërtetë për ata që fotografinë e kanë pasion.

Një person i tillë, që këtë pasion e ka shndërruar në profesion ishte i ftuar të martën në emisionin “Drive on D” me Donika Hysenin e Mirdon Pacollin në Radio Dukagjini.

Bëhet fjalë për fotografin shumë të kërkuar, Marjan Komani, i cili specialitet ka fotografimin e çifteve.

Komani deklaroi se aparatin e parë fotografik e ka blerë para 9 viteve, por ishte kohë kur fotografia nuk ishte fokusi i tij i parë, dhe ishte diçka që e bënte vetëm si një hobi.

Nuk e mendoi një të ardhme si fotograf andaj u fokusua në profesionin e regjisorit, duke punuar në televizion për 5 vite me radhë.

Pas 5 viteve larg fotografisë, Komani thotë se e la punën për t’iu përkushtuar pasionit të tij, e inspirimin më të madh për këtë thotë se e mori nga e fejuara, e cila është mbështetja e tij më e madhe.

Ai deklaron se punën më të madhe e bën me çifte, ku është edhe i fokusuar më shumë, por së fundmi ka punuar herë pas here edhe me fotografi bebesh.

Komani ka ndarë sekretin i cili sipas tij bën që fotografitë të dalin më të mira. Ai thotë se është në bashkëbisedim me çiftin për një kohë të gjatë, njihen thellësisht e madje bëhen edhe shokë, duke bërë që çifti të jenë më të lirë në prani të tij.

Komani deklaron se edhe pse ka kërkesa që të jetë fotograf deri në 5 dasma brenda një dite, për hir të korrektësisë dhe përgjegjësisë për punën, ai pranon vetëm 1 dasmë në ditë. Ndonëse e pranon se kjo mund të jetë shumë më pak profitabile, ai shton se dëshiron të ndajë tërë kohën e tij për një çift, pasi është dita më e rëndësishme për ta.