Ligjvënësit francezë kanë votuar të martën ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare, duke e bërë Francën vendin e parë në Bashkimin Evropian që vendos një kufizim të tillë moshe.
Australia ishte vendi i parë në botë që vendosi një ndalim të përdorimit të rrjeteve sociale për moshat nën 16 vjeç në fund të vitit të kaluar. Ndërkohë, edhe Britania e Madhe ka paralajmëruar masa të ngjashme, të cilat pritet të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm.
Spanja, Greqia dhe Danimarka gjithashtu po planifikojnë të vendosin kufizime minimale moshe për përdorimin e platformave sociale, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Projektligji francez u miratua me shumicë dërrmuese të votave dhe u mbështet fuqishëm nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili tani pritet ta nënshkruajë atë në ligj.
“Rrjetet sociale do të ndalohen për fëmijët nën 15 vjeç duke filluar nga ky vit shkollor”, shkroi Macron në platformën X pas votimit, duke falënderuar deputetët për miratimin e ligjit.
Më herët, në një mesazh video, Macron kishte deklaruar se “truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është për t’u shitur”, duke shtuar se emocionet e tyre nuk duhet të manipulohen “as nga platformat amerikane dhe as nga algoritmet kineze”.
Presidenti francez i kishte kërkuar qeverisë të përshpejtonte miratimin e ligjit në parlament, me synimin që masat të zbatohen në fillim të vitit të ri shkollor në shtator.
Megjithatë, ende nuk është bërë e qartë se si platformat e rrjeteve sociale do të verifikojnë moshën e përdoruesve. Australia u kërkon kompanive të marrin “masa të arsyeshme” për të parandaluar hapjen ose mbajtjen e llogarive nga fëmijët nën moshën e lejuar, ndërsa qeveria franceze ka premtuar zbatimin e kontrolleve të moshës për të mbështetur ligjin.
Sipas rregullatorit francez Arcom, fëmijët nga mosha 12 deri në 17 vjeç në Francë shpenzojnë mesatarisht 1 orë e 21 minuta në ditë në TikTok. Autoriteti thotë se algoritmi i rekomandimeve të platformës shpesh promovon përmbajtje më “ekstreme”, duke i ekspozuar adoleshentët ndaj një rrjedhe të vazhdueshme videosh që mund të shkaktojnë ankth ose të jenë të dëmshme.
Franca voton sot për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç