Franca ka njoftuar se regjistroi mbi 2,025 vdekje të tepërta gjatë javës së fundit të valës rekord të të nxehtit që goditi Evropën në qershor. Ndërkohë, meteorologët paralajmërojnë se ditët e ardhshme priten temperatura edhe më të larta në shumë pjesë të kontinentit.
Numri i vdekjeve u rrit me 29% në javën e fundit të qershorit krahasuar me javën paraardhëse. Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, tha se u vu re një rritje e qartë e vdekjeve te personat mbi moshën 45 vjeç, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Më 24 qershor, Franca përjetoi ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në nivel kombëtar. Temperaturat arritën pothuajse 41°C në Paris, ndërsa gjysma e vendit u vendos nën alarmin e kuq për vapë ekstreme.
Ky lajm vjen në një kohë kur pjesë të Evropës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, po përgatiten për një valë të re të temperaturave shumë të larta gjatë fundjavës.
Sipas BBC Weather, një zonë e fuqishme me presion të lartë po shtrihet nga Azoret drejt Portugalisë dhe Spanjës, dhe deri në fundjavë pritet që temperaturat të rriten ndjeshëm në Francë dhe në jug të Britanisë.
Ndërkohë, miliona amerikanë që festojnë fundjavën e 4 Korrikut po përballen me vapë ekstreme dhe lagështi të lartë në pjesën qendrore dhe lindore të SHBA-së.
Ndryshimet klimatike po rrisin temperaturat në të gjithë botën, por veçanërisht në Evropë. Sipas shërbimit klimatik Copernicus, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt, me një ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale.
Si pasojë, po shtohen valët e të nxehtit gjatë verës, po rritet presioni mbi furnizimet me ujë dhe po bëhen më të shpeshta e më intensive zjarret pyjore.
Temperaturat rekord të kësaj vere kanë rezultuar veçanërisht vdekjeprurëse.
Në Belgjikë u regjistruan 1,222 vdekje të tepërta, ose 39% më shumë se zakonisht. Pothuajse gjysma e viktimave ishin persona mbi moshën 85 vjeç.
Ministria belge e Shëndetësisë e cilësoi këtë numër vdekjesh gjatë një vale të nxehti si “të paprecedentë”.
Në Francë, midis 22 dhe 28 qershorit, u regjistruan 2,025 vdekje më shumë se zakonisht. Vetëm në rajonin e Parisit, numri i vdekjeve u rrit me 62%.
Ministria franceze e Shëndetësisë tha se ky numër ka të ngjarë të jetë një nënvlerësim, duke shtuar se numri përfundimtar i viktimave pritet të jetë edhe më i lartë.
Gjatë valës së të nxehtit u shtuan edhe vdekjet nga mbytja. Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, tha se 72 persona kanë humbur jetën nga mbytja që nga 18 qershori.
Edhe në Holandë, temperaturat rekord shkaktuan rreth 480 vdekje të tepërta, shumica e tyre te persona mbi moshën 80 vjeç.
Temperaturat në disa zona të Holandës arritën pothuajse 40°C, ndërsa shumica e vdekjeve u regjistruan në jug dhe lindje të vendit, ku ishte edhe më nxehtë.
Edhe pse Holanda pritet të ketë një javë më të freskët, në pjesë të tjera të Evropës pritet rikthimi i vapës gjatë fundjavës.
Në jug të Francës temperaturat pritet të arrijnë deri në 40°C, ndërsa në qytete si Bordeaux, Toulouse dhe Agen priten temperatura nga 36°C deri në 37°C.
Shërbimi meteorologjik Météo-France ka shpallur alarm të kuq për rrezikun e zjarreve pyjore të premten dhe të shtunën në jug të vendit, duke paralajmëruar se kushtet atmosferike krijojnë një rrezik shumë të lartë krahasuar me verat e zakonshme.
Kryeministri Sébastien Lecornu tha se që nga fillimi i sezonit veror kanë shpërthyer gati 7,000 zjarre, të cilat kanë djegur rreth 8,700 hektarë tokë.
Rreth 3,000 persona u evakuuan pasi një zjarr i madh pyjor shpërtheu në qytetin Sainte-Marie-la-Mer dhe u përhap drejt Canet-en-Roussillon.
Në Portugali, qeveria shpalli gjendje alarmi deri të martën në mesnatë. Në disa zona temperaturat pritet të kalojnë 40°C, ndërsa temperaturat gjatë natës do të mbeten mbi 25°C.
Edhe në Spanjë, disa zona në jugperëndim janë nën alarm portokalli, pasi temperaturat pritet të arrijnë 40°C.