Autoritetet në Sri Lanka kanë lëshuar paralajmërime të reja për rrëshqitje dheu, teksa reshjet e dendura të shiut vazhdojnë të godasin zonat që tashmë janë shkatërruar nga një ciklon i fuqishëm.
Numri i të vdekurve në vend ka arritur në 618, ndërsa në pjesë të tjera të Azisë bilanci total i viktimave ka kaluar shifrën 1,800, shkruan Aljazeera, transmeton Dukagjini.
Qendra e Menaxhimit të Fatkeqësive (DMC) njoftoi të dielën se stuhitë e musonit po sjellin reshje shtesë, duke e bërë terrenin kodrinor dhe malor gjithnjë e më të rrezikshëm, veçanërisht në rajonin qendror malor dhe zonat fushore në verilindje.
Më shumë se dy milionë persona – pothuajse 10% e popullsisë së Sri Lankës – janë prekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara javën e kaluar nga Cikloni Ditwah, i konsideruar si fatkeqësia natyrore më e rëndë që ka goditur ishullin këtë shekull.
Të dielën, helikopterë dhe avionë u angazhuan për të furnizuar me ndihma komunitetet e izoluara nga rrëshqitjet e dheut në pjesën qendrore të vendit. Forcat Ajrore të Sri Lankës njoftuan se kishin marrë një ngarkesë ndihmash humanitare nga Myanmar, si pjesë e ndihmës ndërkombëtare.
Qeveria ka konfirmuar se 618 persona kanë humbur jetën, prej të cilëve 464 në rajonin qendror të njohur për plantacionet e çajit, ndërsa 209 persona rezultojnë ende të zhdukur.
Numri i njerëzve të strehuar në kampet shtetërore ka rënë në rreth 100,000, nga një kulm prej 225,000, pasi uji i përmbytjeve ka filluar të tërhiqet në të gjithë vendin. Mbi 75,000 banesa janë dëmtuar, përfshirë rreth 5,000 shtëpi të shkatërruara plotësisht.
Një zyrtar i lartë ka paralajmëruar se kostoja e rimëkëmbjes dhe rindërtimit mund të arrijë deri në 7 miliardë dollarë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) njoftoi të premten se po shqyrton kërkesën e Sri Lankës për një ndihmë shtesë prej 200 milionë dollarësh për rindërtim. Presidenti Anura Kumara Dissanayake deklaroi në parlament se ekonomia kishte shënuar rimëkëmbje të ndjeshme, por nuk është ende mjaftueshëm e fortë për të përballuar një goditje të tillë pa mbështetje të jashtme.
Situatë kritike edhe në vende të tjera të Azisë
Në Indonezi, autoritetet kanë bërë të ditur se mbi 900 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në ishullin Sumatra. Të mbijetuarit në rajonin Aceh Tamiang tregojnë se janë detyruar të ecin për më shumë se një orë mes rrënojave, trungjeve të pemëve dhe automjeteve të përmbysura për të gjetur ndihmë.
Një tregtar rrobash nga fshati Kampung Dalam, Joko Sofyan, tha se banorët nuk kishin alternativa tjetër veçse të pinin të njëjtin ujë që u kishte shkatërruar shtëpitë, gjë që ka shkaktuar sëmundje tek fëmijët.
Shumë banorë të Aceh-it mbeten ende të traumatizuar nga cunami i vitit 2004, i cili vrau rreth 230,000 persona në mbarë botën, përfshirë 160,000 vetëm në këtë rajon.
Ndërkohë, Tajlanda ka raportuar të paktën 276 të vdekur, Malajzia dy viktima, ndërsa në Vietnam janë shënuar të paktën dy viktima nga rrëshqitjet e dheut pas reshjeve të dendura. Kryeqyteti i Malajzisë, Kuala Lumpur, është përballur me përmbytje serioze ditët e fundit, ndërsa autoritetet meteorologjike kanë lëshuar paralajmërime për stuhi në disa rajone.
Në Vietnamin jug-qendror, reshjet e pandërprera prej disa javësh kanë përmbytur qindra mijëra shtëpi në zonat turistike bregdetare dhe kanë shkaktuar rrëshqitje vdekjeprurëse në zonat malore.