Në Kosovë deri më 10 gusht janë evidentuar 112 raste të fëmijëve të prekur nga fruthi, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Doktoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Florina Grezda, ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve, duke paralajmëruar se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që përhapet me shpejtësi dhe mund të shkaktojë komplikime të rënda.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Grezda ka thënë se fëmijët e prekur nga fruthi duhet të paraqiten në Klinikën Infektive dhe të trajtohen nga specialistët infektologë. Sipas saj, mosvaksinimi i rregullt mund të rrisë rrezikun për shpërthime epidemike.
Ajo ka theksuar se fruthi mund të prekë organe të ndryshme dhe të shkaktojë komplikime, përfshirë pneumoninë, dëmtimin e dëgjimit, infeksionet e rënda të syrit dhe, në raste më të rënda, inflamacionin e trurit – encefalitin.
Grezda ka bërë të ditur se në repartin e vaksinimit në Prishtinë, nga janari deri në gusht të këtij viti, janë vaksinuar rreth 2,500 fëmijë të moshës 1 deri në 5 vjeç. Ndërsa rreth 2,890 fëmijë të moshës parashkollore dhe rreth 3,140 fëmijë që kanë përfunduar klasën e parë janë vaksinuar kundër fruthit.
Doktoresha ka reaguar edhe ndaj pretendimeve të shpërndara në rrjetet sociale për një lidhje mes vaksinës së fruthit dhe autizmit, duke theksuar se studimet shkencore nuk kanë dëshmuar një lidhje të tillë.
Ajo u ka bërë thirrje prindërve që nuk i kanë vaksinuar fëmijët t’i dërgojnë sa më shpejt në qendrat e vaksinimit, pasi, sipas saj, duhen të paktën tri javë pas vaksinimit për krijimin e një imuniteti të qëndrueshëm.
Grezda ka treguar gjithashtu se QKMF-ja ka ndërmarrë masa për identifikimin dhe kontaktimin e prindërve të fëmijëve që nuk e kanë marrë vaksinën, përmes thirrjeve telefonike dhe verifikimit të të dhënave në kartotekë.
Këto deklarata, doktoresha Florina Grezda i ka bërë në një intervistë për Ekonomia Online.