“FSK-ja trashëgimtare e UÇK-së”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë vizituar të hënën kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me rastin e “Ditës së Forcës”. Presidentja Osmani para mediave ka thënë se sot FSK-ja është forcë e cila është e trajnuar në bazë të standardeve më të larta të NAT0-s, forcë e cila jep […]
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë vizituar të hënën kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me rastin e “Ditës së Forcës”.
Presidentja Osmani para mediave ka thënë se sot FSK-ja është forcë e cila është e trajnuar në bazë të standardeve më të larta të NAT0-s, forcë e cila jep kontribute jo vetëm për paqen dhe sigurinë në rajon, por edhe përtej.
Po ashtu, ajo ka deklaruar se FSK-ja është e gatshme t’i bashkohet ushtrive tjera aleate Aleancën e NATO-s.
“Duke shërbyer së bashku me forcat amerikane, forcat e Mbretërisë të Bashkuara dhe ushtritë tjera aleate nëpër vende të ndryshme të votës në misionin paqeruajtës, dhe kështu duke dëshmuar që ajo është e gatshme t’i bashkohet ushtrive tjera aleate në aleancën më të fuqishëm në historinë e njerëzimit në Aleancën e NATO-s. Si komandante supreme e kësaj ushtrie, çdo kund në çdo cep të botës shihet se me sa admirim vlerësohen sukseset e kësaj ushtrie, prandaj jam jashtëzakonisht krenare me të”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja Osmani gjithashtu është shprehur e bindur se ushtarët e FSK-së janë të gatshëm ta japin edhe jetën për Kosovën.
“Është ditë ku ne me shumë krenari kujtojmë sakrificën jashtëzakonisht të madhe të të rënëve tanë të ushtrisë sonë çlirimtare për të ardhur në këtë ditë. Është derdhur shumë gjak që Kosova ta ketë ushtrinë e saj, prandaj jam shumë e bindur se secili ushtar e secila ushtare e mban këtë uniformë me shumë krenari dhe është i gatshëm të japë edhe jetën për atdheun në qoftë se është nevoja”, ka thënë ajo.

Ndërsa, kryeministri teksa ka uruar shqiptarët për “Ditën e Forcës”, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Po ashtu, ai ka thënë se Qeveria deri më tani ka dërguar 3 mijë 459 ushtarë e oficerë për shkollim jashtë vendit.
“Qeveria e Kosovë në më pak se tri vjet ka bërë më shumë se dyfishim të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, ka bërë trefishim për investimeve në armatim dhe më shumë se katërfishim të trajnimeve dhe shkollimit të oficerëve dhe ushtarëve tanë jashtë vendit. Konkretisht për më pak se 32 muaj kemi dërguar 3 mijë 459 ushtarë e oficerë jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, ne e kemi të qartë se FSK-ja është trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar ai, raporton Dukagjini.
“Është një ditë e gëzimit ku ne në të njëjtën kohë edhe përkujtojmë ata që sakrifikuan, por në të njëjtën kohë edhe me optimizëm ecim drejt së ardhmes kur e dimë se sa të sigurt jemi me ushtrinë tonë”, është shprehur tutje Kurti.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë parë nga afër pajisjet ushtarake për të cilat janë informuar nga ushtarët e Forcës së Sigurisë.


















